Uashington, 18 janar 2024 – Autoritetet e Kosovës dhe zyrtarët amerikanë konfirmuan javën e kaluar se Kosova është në proces të blerjes së 246 raketave “Javelin”. Kërkesa e Kosovës pritet të shqyrtohet tani nga Kongresi amerikan, që jep miratimin përfundimtar për shitjen e armëve vendeve të huaja.
Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ejup Maqedonci dhe zyrtarët e Departamentit amerikan të Shtetit kanë thënë se synimi kësaj blerjeje ushtarake është përmirësimi i kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka reaguar ashpër, duke thënë se me armatimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës nga vendet e NATO-s synohet jo vetëm largimi i gjurmëve të Serbisë në Kosovë, por edhe largimi i serbëve nga Kosova.
Mark Montgomery, drejtor pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive në Washington, admiral në pension i forcave detare amerikane, ka një përvojë të gjatë me ushtrinë me amerikane.
i ka shërbyer si drejtor politikash në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura, kur ai drejtohej nga Senatori John McCain, si dhe në Komandën e Ushtrisë Amerikane në Evropë, përgjegjës për planifikimin dhe strategjinë. Vendimi për të siguruar raketat Javelin, thotë ai “është i menduar mirë”.
“Për të miratuar një kërkesë të tillë duhet shumë planifikim dhe përpjekje ndërinstitucionale, që do të thotë se ana politike, ekonomike dhe ushtarake e vlerësimit të qeverisë amerikane rreth Ballkanit në përgjithësi dhe Kosovës në veçanti, u pajtuan që kjo është gjëja e duhur për të bërë,” thotë zoti Montgomery.
Zoti Montgomery thotë se mesazhi që përcillet me shitjen e sistemit të përparuar Javelin për Kosovën ka synime diplomatike.
“Ne e dimë se duam t’i sigurojmë Kosovës pajisje të nevojshme për të krijuar stabilitet brenda kufijve të saj nga çfarëdo përdorim force nga jashtë. Sistemi ‘Javelin’ është një armë e përsosur, sepse është një armë fantastike mbrojtjeje për të frenuar një sulm të mundshëm me automjete të blinduara ndaj Kosovës,” shton ai.
Sipas zotit Montgomery, sistemi Javelin, i cili u bë i famshëm nga përdorimi në Ukrainë, në përballjen me sulmin e Rusisë, është i efektshëm, si në aspektin parandalues ashtu edhe në atë buxhetor dhe në rrafshin strategjik, është hapi i duhur. Raketat Javelin, thotë zoti Montgomery, janë një nga sistemet më të kërkuara të arsenalit ushtarak amerikan – ato po kërkohen nga Ukraina, nga shumë shtete të Evropës Lindore dhe shtetet e Baltikut, si dhe nga Tajvani e Rumania.
“Mendoj se ky sistem bën ndryshimin, jo sa i përket kapacitetit për të bërë diçka dramatike, por si një sistem mbrojtës. Vlerësimi i Shteteve të Bashkuara është se Kosova duhet të pajiset me sistem armësh të avancuara. Kjo është armë që përdoret nga një ushtar i vetëm, që do të thotë se ne nuk po u japim pajisje të shkallës së lartë të manovrimit ushtarak, por po u ofrojmë atë që ju duhet. Dhe po i dërgojmë mesazh çdo armiku potencial, se Kosova ka pajisjet që i duhen për të frenuar një sulm të mundshëm,” thotë zoti Montgomery.
Zoti Montgomery, i cili ka punuar në dekadat e fundit në kapacitete të ndryshme me shtetet e Ballkanit, vlerëson se pajisja e Forcave të Armatosura të Kosovës me raketat Javelin, që ndodh në kontekstin e ndryshuar gjeopolitik në Evropë për shkak të sulmit rus në Ukrainë dhe tensioneve në Ballkan, përfshirë incidentet si në Banjskë, të cilat ai i sheh të ndërlidhura me ndikimin rus dhe përkrahjen e Serbisë, po bëhet edhe si pjesë e një strategjie dalëse të NATO-s nga roli paqeruajtës në Kosovë.
Sipas tij, “Rusia nuk ka për qëllim që të shkaktojë ndonjë gjë të madhe në Ballkan, por kërkon destabilizim dhe kaos në mënyrë që ta largojë vëmendjen e NATO-s nga lufta në Ukrainë dhe në këtë aspekt ata janë ndihmuar edhe nga parteri i tyre tradicional Serbia.”
Ai thotë se NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë bërë “një punë të shkëlqyer” në vendosjen e qëndrueshmërisë në rajon, përfshirë anëtarësimin e shumicës së shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia në NATO, por Kosova, sipas tij, mbetet një çështje ende e papërfunduar, për shkak të qëndrimit të Serbisë, e cila ndihmohet nga Rusia. Rusia këtë vit, sipas zotit Montgomery do të provojë të “krijojë kaos” në vende si Moldavia, në shtetet e Baltikut dhe ndoshta edhe në Ballkan.
“Puna jonë është të vazhdojmë të krijojmë stabilitet në Kosovë, të sigurohemi që Forcat e Armatosura të Kosovës kanë pajisjet e duhura për të siguruar një ambient të sigurtë për veten. Është e drejtë të thuhet se forcat e NATO-s kanë qëndruar në Kosovë shumë më gjatë nga sa ishte planifikuar fillimisht dhe ende nuk besoj se ekziston një afat përfundimtar për to. Dhe afati i largimit të tyre është vështirë të përcaktohet nëse nuk ekziston një forcë e aftë, e qëndrueshme që mund të krijojë një mjedis të sigurtë në Kosovë,” shtoi ai.
Zoti Montgomery thotë se është e vështirë të parashikohet një shpërthim i ri i dhunës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, por shton se mundësia ekziston meqë kjo është çështje e pazgjidhur mes palëve, dhe varet nga qëndrimi i Serbisë, në se do të nxisë apo jo tensione.
(Zëri i Amerikës)