MOS E SHKATËRRONI LAZARATIN, TAKSOJENI

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu, “Illyria”, 19 qershor, 2014

Ndoshta nuk e kanë vënë re në Tiranë, por në në një pjesë të Perëndimit, përfshi edhe një pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po zyrtarizohet përdorimi i lirë i kanabisit nga kushdo. Në Kolorado për shembull, ai mund të gjendet në çdo farmaci e në pika shitje. Po ashtu edhe në një numër vendesh europiane, anëtare themeluese të BE-së.
Shqipëria, që në 25 vitet e fundit ka parë që t’i shkatërrohet sektori i bujqësisë do të kishte fituar shumë më tepër nga legalizimi i kanabisit sesa nga lufta për shkatërrimin e tij. Nëse ka një treg ligjor në Perëndim, atëhere mund të ketë një prodhimtari të ligjshme edhe në Shqipëri.
Vetëm nga taksat Shqipëria do të fitonte miliona dollarë që do të ndihmonin gjendjen e rëndë financiare të vendit, ndërsa një pjesë e këtyre të ardhurave mund të përdoreshin në luftën e vështirë kundër trafikut ndërkombëtar.
Një opinion në “Bloomberg View” llogariste se me çmimet e sotme të marihuanës në tregun e Kolorados, Lazarati mund të siguronte të ardhura vjetore deri në 7.6 miliardë dollarë! Kjo është një mijëfish herë më shumë se ndihma që Shqipëria mund të marrë nga shteti amerikan. Pse duhet të trokasësh në derën e qeverisë amerikane për t’u lutur për ndihmë, kur mund të trefishosh GDP-në e vendit thjesht me drogën e prodhuar ligjërisht në një fshat të vetëm.

Po edhe sikur të ardhurat të mbeteshin në kufijtë e qindra milionë dollarëve, ato do të ishin një ndihmë e jashtëzakonshme për Shqipërinë.
Nuk jam ndonjë mbështetës i vendosur i legalizimit të drogës, por realiteti është që për sa i përket kanabisit, është vetëm çështje kohe përpara se të përdoret dhe të prodhohet ligjërisht e lirisht në mbarë Perëndimit e botën…. njerëzit po bëhen më të ndërgjegjshëm për absurditetin e këtij ndalimi. Vlerat mjekësore të kësaj bime janë të njohura dhe vendosja e saj në listë me drogat e tjera që shkatërrojnë shëndetin e jetën e njerëzve është një nga çuditë e epokës sonë. Një nga ato gjërat për të cilat brezat e ardhshëm do të na tallin.
Shqipëria duhet të përfitojë nga ky avantazh që ka, nga prodhues tashmë tradicionalë në Lazarat e tjetërkund.
Përvoja nuk blihet lehtë dhe klima e toka janë të pazëvendësueshme.

Ne jemi fundja një nga vendet në krye të listës për shitje armësh e municionesh që na mbetën nga koha e komunizmit. Këto janë mallra që vërtet vrasin njerëz. Pse është ky treg më moral se ai i një bime? Portokallet e fruta të tjera që prodhoheshin mrekullisht në Shqipëri u shkatërruan me politikë e jo me polici. Po aty aty shkon puna.
Le ta nxjerrin një ligj, le ta vënë nën kontroll. Le të sigurohet se prodhimet do t’u shiten vetëm vendeve ku përdorimi i kanabisit është i ligjshëm. Le të sigurohen se çdo lek, dollar e euro do të taksohet fuqishëm. Interesat e qindra milionave do të bëjnë që shkelësit të ndëshkohen pa mëshirë.
Në fund të aksionit në Lazarat, ku miliona të pakthyeshme janë shkatërruar. Ku policia ka bërë shpenzime e grumbullime në kurriz të rendit tjetërkund, nëse të paktën nuk ndihmon në marrjen e statusit, nuk e di se për çfarë do të ketë vlejtur vërtet. Po një gjë është e sigurtë se gjykimi i kësaj çështje thjesht nga prizmi Rama/Berisha apo qeveri/opozitë është e gabuar. Le të fillojmë të shohim se çfarë i intereson Shqipërisë dhe të gjithë neve në çdo çështje.
Ashtu si në rastin e lojërave të fatit, Shqipëria po shkrep armën pa vënë syrin në shënjestër apo në dylbi për të parë perspektivën më të mirë të zgjidhjes së problemit.
Shpesh zgjidhja nuk është detyrimi i mbetjes së bizneseve, industrive e shërbimeve sa më thellë në hijen e të jashtligjshmes, por rehabilitimi i tyre si e vetmja mënyrë për t’i mbajtur nën kontroll, për t’ua korrigjuar pasojat negative e për t’i kthyer në aktivitete fitimprurëse jo vetëm për ata që i zotërojnë por për mbarë shoqërinë.