Frank SHKRELI
“Rruga Përpara Për Marrëdhënien SHBA-Shqipëri” është titulli i një shkrimi të Kryediplomates amerikane në Tiranë.
Rruga Përpara për Marrëdhënien SHBA-Shqipëri | Ambasada e SHBA në Shqipëri (usembassy.gov)
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Shkëlqësia e saj, Juri Kim, ka bërë një ekspoze të “arritjeve” dhe “sukseseve” të Shqipërisë në një artikull që e lexova në portalin e ambasadës sonë në Shqipëri. Me thënë të drejtën, ky shkrim m’u duk aq i pazakontë për një diplomat/e amerikane, si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga qëllimi, se pse e nderuara ambasadore e shkruan pikërisht në këtë kohë një artikull si ky. Zakonisht, “arritjet” dhe “sukseset” e kaluara dhe planet për të ardhmen deklarohen në fund të vitit, normalisht, ose në ndonjë raport të veçantë drejtuar Departamentit të Shtetit. Prandaj, ky shkrim më duket më shumë si një “lamtumirë” ose, ndoshta, edhe si një përpjekje në mbështetje të njëanëshme ndaj qeverisë socialiste të Shqipërisë, për të justifikuar perceptimet e shumë vetave se ajo është palë, siç kanë komentuar shumë lexues në portalet e ambasadës amerikane.
Që në fillim dua të shprehem se kam respektin më të madh për diplomatët amerikanë që shërbejnë anembanë botës, shpesh në rrethana shumë të vështira, sidomos ata që shërbejnë në Shqipëri dhe në Kosovë. E them ketë sepse, gjatë karierës sime, kam pasur nderin dhe privilegjin të bashkpunoj me shumë prej tyre, në kohë të mira e sidomos në kohë të vështira, gjatë luftës së ftohtë e më vonë në periudhën e tranzicionit. Me diplomatët amerikanë që kanë shërbyer me dinjitet në trojet shqiptare dhe anembanë Evropës lidnore e qendrore, në vendet ish-komuniste, si përfaqësues të denjë të Atdheut tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gëzojmë lirinë, demokracinë dhe të drejtat tona njerëzore, kësaj Amerike të bekuar që 50 vjet më parë më ka strehuar mua dhe familjen time, si edhe qindëra mijëra shqiptaro-amerikanë që gjatë dekadave ishin detyruar të largoheshim nga trojet shqiptare nga njëra prej diktaturave më të egra komuniste sllavo-aziatike, siç ishte regjimi komunist i Enver Hoxhës për pothuaj gjysmë shekulli.
Në këtë frymë, pra me dashuri dhe respekt për vlerat e Atdheut tim të adaptuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të mirën e Atdheut të të parëve të mi, por edhe me respekt për punën e diplomatëve amerikanë në Shqipëri dhe për hir të marrëdhënieve miqësore SHBA-Shqipëri, me gjithë kundërshtimet e mia ndaj disa prej politikave të ndjekura prej tyre gjatë dekadave, të më lejohet që të shpreh kësaj radhe disa kundërshtime të mia përsa shkruan Zonja Ambasadore në artikullin e saj të botuar të mërkurën për rrugën përpara në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
“Shqipëria ka përfunduar zgjedhjet që do të shënojnë rikthimin e opozitës në parlament, një ngjarje me rëndësi kritike. Siç vërejti ODIHR në raportin e tij përfundimtar, zgjedhjet e 25 prillit ishin të mira, por jo të përsosura…”, shkruan Zonja Kim.
Përkundrazi, e vetmja gjë pozitive që unë lexoj në raportin e ODIHR-it është se zgjedhjet, siç thuhet në raport, ishin të “qeta”. Të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e Enver Hoxhës, por sepse ishin të qeta, nuk i bën ato “të mira” dhe as të lira. Shqipëria nuk ka patur zgjedhje të mira, të lira e të drejta në këto 30 vjetët e fundit, pa marrë parsysh se cila parti ka qenë në pushtet. . Frank Shkreli/ Zgjedhjet e 30-qershorit: Një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar! | Gazeta Telegraf
Kjo traditë vazhdoi edhe me zgjedhjet e fundit në Shqipëri. Asnjë vërejtës i paanshëm nuk mund të pretendojë se këto zgjedhje ishin të “mira”, të lira dhe të drejta. Ose i besojmë ODIHR-it ose jo. Ndër të tjera, në raportin e tij për zgjedhjet në Shqipëri, për t’i ra shkurt bisedës, thuhet se partia në pushtet “keqpërdori burimet administrative”. Përcakton “mbledhjen e informacionit për të dhënat personale”, si një problem seriroz. “Shitblerja e votës mbetet shqetësim”, thuhet mëtej. “Presionet ndaj medias” nga korrupsioni i madh që ka prekur shoqërinë shqiptare, thuhet, ndër të tjera, në raportin e ODIHR-it për zgjedhjet e fundit në Shqipëri, është gjithashtu diçka për t’u shqetësuar për të gjithë ata që besojnë në votën e lirë. Në qoftë se këto probleme dhe shqetësime të tjera në raportin e ODIHR-it i bëjnë këto zgjdhje të “mira”, atëherë ne kemi një ndryshim të madh në interpretimin e dallimit midis të mirës dhe të keqes, si koncept. Në çdo vend tjetër të Evropës këto zgjedhje nuk besoj se do të cilësoheshin as të “mira”, as të drejta dhe as të lira. Si të tilla, fatkeqësisht, nuk besoj se do ta çojnë Shqipërinë “në familjen evropiane”, ashtu siç dëshirojmë të gjithë.
“Pesë vjet pas miratimit të ligjeve, reforma në drejtësi po jep rezultate reale që do të ndihmojnë për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë”, shkruan ambsadorja Kim. Të gjithë ata që e duan Shqipërinë dhe ia duan të mirën Kombit shqiptar, e në këtë grup besoj të jetë edhe ambasadorja Kim, e duan dhe e mbështesin reformën në drejtësi, për t’i dhënë fund një herë e mirë “pandëshkueshmërisë” dhe korrupcionit në atë vend, përfshirë pandëshkueshmërinë politike që mbretëron në politikën shqiptare për një shekull tani. Është shumë mirë që “reforma e re” në drejtësi po merret me ndëshkimin e hajdutëve, kriminelëve, të korruptuarve dhe rrugaçëve. Ju urojmë sukses!
Po çfarë mund të thuhet për rreth 30 antarë të parlamentit të ri shqiptar, nga të gjitha palët, të cilët, sipas disa mediave shqiptare, kanë qenë anëtarë ose kanë patur lidhje me ish-Sigurimin famëkeq të regjimit komunist? Këta kanë dalë nga zgjedhjet “e mira” të këtij viti në Shqipëri dhe do t’i bëjnë ligjet për të ardhmen e Shqipërisë. Pse diplomatët perëndimorë në Tiranë nuk ngulën këmbë që antarët e Kuvendit të ri, që do t’i fillojë punimet në shtator, t’i nënshtrohen vettingut, pastrimit të figures, siç është bërë në shumë vende ish-komuniste? Pse nuk bëhet në Shqipëri?. Përderisa komuniteti ndërkombëtar nuk këmbëngul që Shqipëria të përballet me të kaluarën e saj komuniste, ashtu siç kanë bërë vendet tjera ish-komuniste të Evropës, dhe me krimet çnjerëzore të Enver Hoxhës, Shqipëria nuk do të bëhet shtet normal dnhe as anëtare e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, siç e kam thënë edhe herë të tjera, nuk besoj se reforma e re në drejtësi mund të dalë me sukses. Me gjithë disa shënja pozitive fillestare, kur kjo reformë është pothuaj ekskluzivisht në dorë të ish-gjyqtarëve dhe ish-prokurorëve të regjimit komunist. Si është e mundur që institucionet më me rëndësi të Shqipërisë kontrollohen ende nga trashëgimtarë dhe apologjetë të regjimit komunist. Uroj t’ia dalin, por mbetet për t’u parë. Unë shpesh ua kam bërë këtë pyetje diplomatëve perëndimorë në Tiranë, por kurrë nuk kam marrë ndonjë përgjigje që justifikon mbështetjen që ata ua kanë dhënë dhe ua japin këtyre njerëzve në nivelet më të larta të qeverisë dhe shtetit shqiptar. Unë nuk besoj se mund të ketë reformë, cilado qoftë ajo, me këta njerëz të komprometuar me regjimin e Enver Hoxhës dhe, ndoshta, edhe me krimet e atij regjimi.
E vërtetë se, siç shkruan Ambasadorja Kim, “Tridhjetë vjet pasi populli shqiptar – me mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara – hodhi tej vargonjtë e diktaturës komuniste, Shqipëria ka arritur në një çast të ri mundësie historike.” Shqipëria, Zonja Ambasadore, ndoshta i ka hedhur vargonjtë e diktaturës komuniste ashtu siç ishin para 1990-ës, por jo trashëgiminë dhe njerëzit që e mbajtën të gjallë atë diktaturë për pothuaj një gjysmë shekulli. Jam i sigurt se shumë prej tyre i ke takuar në Tiranë. Shumë prej tyre do të jenë në parlamentin e ri shqiptar, ku do të vendosin të ardhmen e Shqipërisë 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ndërsa shumë prej tyre vendosin “drejtësinë” edhe sot. Keni të drejtë kur thoni se Shqipëria ka nevojë për reflektim të thellë të ndërgjegjes morale dhe planifikim real. Të gjthë duhet të pyesim pse janë këta njerëz pjesë e politikës shqiptare sot, por jo vetëm për mësim nga e kaluara, siç sugjeroni ju, por Tirana zyrtare dhe klasa politike në përgjithësi dhe pa dallim, përfshirë edhe diplomatët preëndimorë si ju, Zonja Kim, kanë nevojë për një distancim zyrtar, njëherë e mirë, nga trashëgimia e së kaluarës komuniste. Shqipëria ka nevojë për pastrim, për një fillim të ri, me njerëz të rinj, sepse, siç shkruani edhe ju, Shtetet e Bashkuara e duan “një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë.” Kjo nuk arrihet me heshtjen e diplomatëve perëdnimorë dhe duke qenë asnjanës ndaj nostalgjikëve të Enver Hoxhës në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar! Shumë prej tyre, përfshirë Kryeministrin Rama, e kanë shprehur adhurimin e tyre për atë periudhë të zezë të Kombit shqiptar. Ka vite që e them se me këtë klasë politike, të komprometuar moralisht dhe politikisht dhe të mbështetur nga ndërkombëtarët, Shqipëria nuk do të jetë një aleat i vyer, as i forte e as i begatë që ndanë vlera të përbashkëta me popullin amerikan dhe, si rrjedhim, nuk do të jetë as një aleate e denjë që e meritojnë Shtetet e Bashkuara. Shqipëria ka nevojë për pastrimin e politikës nga të gjithë ish-bashkpuntorët dhe nostalgjikët e komunizmit, aq sa ka nevojë edhe për pastrim nga të korruptuarit e sotëm.
E nderuara Ambasadore, jam dakort me ju se shqiptarët janë lodhur dhe nuk e durojnë më këtë klasë të korruptuar politike, gjoja post-komuniste. Jam dakort se, siç përfundoni edhe ju në shkrimin tuaj, shqiptarët me të cilët jeni takuar e keni folur, nga Shkodra e deri në Gjirokastër, të gjithë “bashkohen në një pikë: iu ka ardhë në majë të hundës me metodat e vjetra; duan ndryshim të vërtetë; duan fundin e korrupsionit; duan një sistem drejtësie ku askush nuk është mbi ligjin; duan që kriminelët të qëndrojnë jashtë qeverisjes dhe politikës; duan një vend që i josh të rinjtë të qëndrojnë për shkak të mundësive; duan një vend që ecën përpara, jo prapa”. 30 vjet post-komunizëm askush nuk mund të jetë krenar për ndonjë arritje të madhe në Shqipëri, as poltika vendase e as ndërkombëtaraët, kur shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjtë, shikojnë për mundësi për t’u larguar nga vendi sa më parë që të jetë e mundur. Kjo situatë e boshatisjes së vendit, në të vërtetë, po kthehet në një tragjedi kombëtare të përmasave epike.
Si përfundim, edhe unë bashkohem me ju, Zonja Ambasadore, për nevojën urgjente se për të shpëtuar demokracinë shqiptare nevojitet një reflektim moral, planifikim dhe intensifikim i përpjekjeve të të gjithë shqiptarëve dhe diplomatëve të huaj vullnetmirë në Tiranë. Ka ardhur koha që shqiptarët të marrin fatin e tyre në dorë, duke zgjedhur (në zgjedhje të lira e të ndershme) udhëheqës të rinj që do të çojnë përpara jo vetëm lidhjet SHBA-Shqipëri, por edhe do të punojnë, pa kursim dhe jo për interesa personale e partiake, për një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe për një distancim të përhershëm nga trashëgimia tragjike komuniste. Me ju, gjithashtu, “Shpresojmë që udhëheqësit e Shqipërisë, ata në pushtet dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë, po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë”, për të gjithë.
Shqipëria ka nevojë për një fillim të ri, me njerëz të rinj, për të mirën e atij populli shumë të vuajtur, për të mirën e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve me Amerikën, të cilën Kombi shqiptar, për më shumë se një shekull, e shikon si shpresën e fundit.
Mos t’i zhgënjejmë shqiptarët, Zonja Ambasadore! Kanë kaluar 30-vjetë. Mjaft është mjaft!
DEMOKRACIA NUK PRET!
I kalofshi pushimet verore si është më mirë!