Moskë, 14 prill 2022 – Autoritetet në rajonin Bryansk të Rusisë, që gjendet në kufi me Ukrainën, e kanë akuzuar Ukrainën për granatimin e qytetit rus, Klimovo. Sipas tyre, në këto granatime ka pasur viktima.
Guvernatori i rajonit Bryansk, Aleksandr Bogomaz, tha më 14 prill se dy ndërtesa janë dëmtuar nga sulmi që, sipas tij, u krye nga forcat e armatosura të Ukrainës.
Personeli shëndetësor në Klimovo i kanë thënë agjencisë ruse të lajmeve TASS, se shtatë persona, përfshirë edhe një grua shtatzënë dhe një fëmijë, janë plagosur.
Komiteti Hetues i Rusisë tha se sulmi është kryer nga dy helikopterë ushtarakë ukrainas.
Në një video që thuhet se është incizuar në Klimovo pas sulmit, e cila është shpërndarë në internet, shihet një shtëpi duke u djegur. Nuk është e qartë se ku dhe kur është bërë kjo video.
Klimovo gjendet rreth 10 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Autoritetet në rajonin tjetër rus, Belgorod, thanë më 14 prill se forcat ukrainase e kanë granatuar fshatin rus Spodorashino. Nuk është raportuar për viktima.
Ndërkaq, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) tha më 14 prill se forcat e armatosura ukrainase kanë hapur zjarr në pikëkalimin kufitar të Novyye Yurovichi që gjendet në rajonin Bryansk. Ky shërbim nuk raportoi për viktima nga kjo ngjarje.
Pala ukrainase nuk i ka komentuar këto pretendime të Rusisë.
Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes së Rusisë e akuzoi Ukrainën për granatimin e territoreve ruse dhe paralajmëroi se nëse sulmet vazhdojnë Moska do të godasë “qendrat e vendimmarrjes” të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin, Kiev.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pas javësh të përballjes me rezistencën e forcave të armatosura ukrainase, Rusia tërhoqi trupat e saj nga pjesa veriore e Ukrainës, në kufi me rajonin Bryansk dhe me rajone të tjera të Rusisë.
(REL)