Moska hedh poshtë dyshimet për dhunime në Ukrainë

Moskë, 12 prill 2022 – Ukraina i ka bërë thirrje Perëndimit për më shumë armë, si ndihmë për t’i dhënë fund rrethimit të qytetit të Mariupolit, si dhe që të shmangë një ofensivë ruse në lindje.

Ndërkohë janë shtuar raportimet për dhunime dhe brutalitet kundër civilëve ukrainas dhe dyshohet se përgjegjëse janë forcat ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë të hënën vonë se Rusia mund t’iu kthehet armëve kimike teksa mbledh trupat ushtarake në rajonin lindor të Donbasit për një tjetër sulm në qytetin e Mariupolit, ku besohet se mijëra persona kanë vdekur si pasojë e rrethimit gati shtatëjavor.

“Kur është fjala për armë të domosdoshme, ne ende varemi nga furnizimet, nga partnerët tanë. Fatkeqësisht ne nuk po marrim aq sa na duhet për t’i dhënë fund kësaj lufte më shpejt… në veçanti për t’i dhënë fund bllokadës në Mariupol”, ka thënë ai.

Lideri i parë i Bashkimit Evropian që është takuar me presidentin rus, Vladimir Putin, prej kur ky i fundit ka nisur atë që e quan “operacion special ushtarak”, kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë të hënën, 11 prill se ofensiva në lindje është “duke u përgatitur në shkallë masive”.

Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me Putinin në Moskë.

Pas humbjeve të mëdha dhe tërheqjes së forcave nga lagjet e Kievit, Rusia është koncentruar në Donbas, ku kërkon që Ukraina t’ua lë kontrollon luftëtarëve separatistë.

Marrja e kontrollit të Mariupolit do t’i mundësonte Moskës që të tentonte të rrethonte forcat kryesore ukrainase në lindje.

Largimi i forcave ruse nga rajoni i Kievit ka vënë në pah dyshimet për krime lufte, duke përfshirë ekzekutime dhe dhunim të civilëve.

Moska hedh poshtë akuzat duke i konsideruar ato provokime ukrainase dhe perëndimore, si dhe ka akuzuar forcat ukrainase për dhunë seksuale.

Një zyrtare e lartë e Kombeve të Bashkuara, Sima Bahous, i ka thënë Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se ndonëse të gjitha dyshimet duhet të hetohen në mënyrë të pavarur, “brutaliteti i shpërfaqur kundër civilëve ukrainas ka ngritur të gjithë flamujt e kuq”.

“Ne jemi duke dëgjuar në vazhdimësi për dhunime dhe dhunë seksuale”, ka thënë ajo.

Kateryna Cherepakha, presidente e grupit të drejta të njeriut La Strada-Ukraine, ka thënë para Këshillit të Sigurimit se “ne e dimë dhe e shohim – dhe duam që ju të dëgjoni zërat tanë – që dhunimet janë duke u përdorur si armë lufte nga pushtuesit rusë në Ukrainë”.

Zëvendësambasadori rus në Kombet e Bashkuara ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka akuzuar Ukrainën dhe aleatët e saj “për synimet e qarta që të prezantojnë ushtarët rusë si sadistë dhe dhunues”.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë se Qeveria e Ukrainës është duke u udhëzuar nga Shtetet e Bashkuara si të prezantojë të dhëna të rreme për dhunën e ushtarëve rusë ndaj civilëve, pavarësisht atyre që Ministria i ka konsideruar “masa të pashembullta për të shpëtuar civilët”.

“Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shumë vite përvojë në organizim të provokimeve me viktima njerëzore, vazhdojnë fushatën e tyre për të krijuar dhe promovuar ‘të dhëna’ të rreme”, ka thënë Ministria.

Presioni i SHBA-së

Putin pritet të takohet me liderin bjellorus Aleksandr Lukashenka të martën, 12 prill, për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe sanksionet e Perëndimit, kanë raportuar agjencitë e lajmeve në Rusi dhe Bjellorusi.

Bjellorusia është vend kyç për forcat ruse.

Shtetet e Bashkuara kanë synuar të rrisin presonin ndaj Putinit, përmes ndalesave në gazin dhe naftën ruse, ashtu që ai të tërheqë trupat e tij nga Ukraina.

Mirëpo fuqitë botërore, përfshirë Kinën dhe Indinë nuk kanë vënë sanksione kundër Rusisë.

E joshur nga zbritjet, India ka blerë më shumë naftë të papërpunuar nga Rusia, prej nisjes së luftës në Ukrainë më 24 shkurt, sesa gjithë vitin e kaluar, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Në një video-lidhje, presidenti amerikan, Joe Biden i ka thënë kryeministri indian, Narendra Modi “shumë qartë se nuk është në interesin e tyre” që të rritet varësia nga energjia ruse, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

Në një pjesë të shkurtër të bisedës, e cila është bërë publike për gazetarët, Modi ka thënë se ka propozuar në bisedimet e fundit me Rusinë që Putin dhe Zelensky të zhvillojnë negociata direkte.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka thënë se Moska nuk do të ndalojë luftimet për çfarëdo rundi të ri të bisedimeve për paqe.

Bisedimet e fundit të këtij formati janë mbajtur më 1 prill.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë se bombardimet ruse po vazhdojnë në Donbas, mirëpo forcat ukrainase kanë zmbrapsur disa sulme dhe kanë shkatërruar tanke, pajisje dhe artileri ruse.

Guvernatori i rajonit lindor, Luhansk, ka thënë në një paraqitje televizive se bombardimet janë duke u shtuar çdo ditë dhe u ka bërë thirrje civilëve që të evakuohen.

(REL)