Moskë, 4 prill 2022 – Moska zyrtare i ka mohuar kategorikisht akuzat në lidhje me mizoritë e kryera në qytetin ukrainas, Bucha, në periferi të kryeqytetit ukrainas, Kievit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se faktet dhe kronologjia e ngjarjeve në Bucha nuk e mbështesin versionin e Ukrainës për ngjarjet. Ai ka thënë se akuzat se forcat ruse kanë kryer mizori duhet të trajtohen me dyshim dhe u bëri thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë që të mos nxitojnë të gjykojnë Rusinë.
Peskov ka thënë se specialistët rusë kanë zbuluar falsifikime në video-materialet që janë shpërndarë, por nuk ka paraqitur asnjë provë për të mbështetur pretendimin e tij.
Mirëpo, imazhet e plaformës “Maxar” i kundërshtojnë pretendimet ruse. Ato zbuluan në Bucha një llogore 45 metra të gjatë ku u gjetën varre masive të civilëve.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Rusisë i ka akuzuar forcat ukrainase për masakrën në Bucha. Ajo ka thënë se përsëri do të kërkojë që Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të takohet të hënën, për të diskutuar lidhur me masakrën në Buxha, të cilin ajo e quan “provokim kriminal i ushtarëvë dhe radikalëve ukrainas”.
“Sot Rusia do të kërkojë përsëri që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhet në lidhje me provokimet kriminale të ushtarëve dhe radikalëve ukrainas në Bucha”, ka shkruar të hënën në Telegram zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Misioni i Britanisë në OKB, i cili është kryesues i këshillit 15 anëtarësh gjatë muajit prill, ka thënë se Këshilli nuk do të takohet të hënën, siç kërkon Rusia, por do të takohet të martën, siç ishte planifikuar më parë.
Pamjet nga Bucha që janë publikuar në medie pasqyrojnë mizori të mëdha. Në pamje të pare shfaqen shkatërrimet masive të qytetit, kurse në rrugë shihen dhjetra trupa të pajetë të civilëve, të gjithë të pafuqishëm. Mes tyre ka edhe trupa të pajetë të gjymtuar.
Në pamjet e publikuara në medie shihen edhe së paku dy varreza masive ku janë groposur civilët e vrarë.
(r.m.)