Moskë, 29 prill 2023 – Rusia paralajmëroi të shtunën se do të reagojë ashpër ndaj asaj që e cilësoi ndërhyrje të autoriteteve polake për “kapjen” e paligjshme të një shkolle të ambasadës ruse në Varshavë. Sipas Moskës kjo është një shkelje të rëndë e Konventës së Vjenës për marrëdhëniet diplomatike.
Televizioni shtetëror polak TVP Info njoftoi se autoritetet policore janë vendosur para shkollës së ambasadës ruse, në rrugën “Kieleckiej”, në Varshavë, të shtunën në mëngjes.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Polonisë tha për agjencinë Reuters se ndërtesa ku ndodhet shkolla e ambasadës i përket shtetit polak.
Ministria e Jashtme e Rusisë, nëpërmjet një deklarate, tha se autoritetet polake kanë hyrë në oborrin e shkollës së ambasadës me synimin për ta konfiskuar atë.
“Një akt i tillë nga Varshava, që shkon përtej kuadrit të marrëdhënieve civile ndër shtetërore nuk do të kalojë pa një përgjigje të ashpër dhe pasoja për autoritetet polake dhe grupet e interesit polak në Rusi”, tha ministria në deklaratë.
Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtmë të Polonisë i tha agjencisë Reuters se është e drejtë e Rusisë të protestojë, porse veprimet e Polonisë janë konform ligjit.
Marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes dy vendeve janë acaruar më shumë për shkak të luftës në Ukrainë, pasi Varshava është pozicionuar si një nga aleatët më të fortë të Kievit dhe ka marrë një rol udhëheqës në bindjen e aleatëve për t’i siguruar ukrainasve armatim të rëndë në luftimet ndaj trupave ruse.
(Zëri i Amerikës)