Moskë, 25 korrik 2022 – Moska tha të hënën se sulmi me raketa që kryen trupat e saj në portin e Odesës në Ukrainë, nuk duhet të ndikojë në marrëveshjen për të rifilluar eksportet e drithit.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se raketat e goditën vetëm infrastrukturën ushtarake dhe jo atë që përdoret për eksportin e drithit.
Fillimisht Rusia e mohoi përfshirjen në sulmin e së shtunës, por të dielën ndryshoi qëndrim dhe tha se trupat e saj ishin përgjegjëse.
Zyrtarët ukrainas kanë bërë të ditur se po vazhdojnë përpjekjet për të rifilluar eksportin e drithit, bazuar në marrëveshjen e firmosur nga Kievi dhe Moska në Stamboll.
Kombet e Bashkuara dhe Turqia ndërmjetësuan në arritjen e marrëveshjes, sipas së cilës flota ruse në Detin e Zi duhet të lejojë kalimin e sigurt nëpër zonat që Moska ka bllokuar, që prej fillimit të sulmin në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Marrëveshja u përshëndet si një hap i rëndësishëm drejt zbutjes së një krize globale ushqimore. Sekretari i Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres e quajti atë “një dritë shprese, mundësish e lehtësimi”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy kritikoi Rusinë pas sulmit në portin e Odesës, duke thënë se një gjë e tillë rrezikonte marrëveshjen mbi drithin.
Në një reagim të tij, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se sulmi “hedh dyshime serioze mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj marrëveshjes dhe minon punën e OKB-së, Turqisë dhe Ukrainës për të dërguar produkte jetike ushqimore në tregjet ndërkombëtare”.
(Zëri i Amerikës)