Moskë, 14 prill 2022 – Anija kryesore e flotës ruse të Detit të Zi, kryqëzori “Moskva”, u dëmtua rëndë kur nga shpërthimi i municioneve në bord, tha agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar ministrinë ruse të mbrojtjes, të enjten.
“Si rezultat i një zjarri në kryqëzorin e raketave ‘Moskva’, shpërthyen municione. Anija u dëmtua rëndë,” tha Ministria ruse e Mbrojtjes në një deklaratë.
Interfax tha se ekuipazhi ishte evakuuar.
Agjencia tha se shpërthimi kishte ndodhur nga një zjarr dhe se shkaku ishte duke u hetuar. Ajo nuk dha më shumë detaje.
Anija me kapacitet 12,500 tonë ka një ekuipazh prej rreth 500 personash. Agjencitë ruse të lajmeve thanë se “Moskva” i kishte 16 raketa “Vulkan”, të cilat kanë një rreze veprimi prej të paktën 700 km.
Maksym Marchenko, guvernator i rajonit rreth portit të Odesës në Detin e Zi, tha më herët se kryqëzori “Moskva” ishte goditur nga dy raketa, por nuk dha ndonjë provë.
Muajin e kaluar Ukraina tha se e kishte shkatërruar një anije të madhe ruse, “Orsk”, në detin Azov, në verilindje të Detit të Zi. Moska nuk ka komentuar se çfarë kishte ndodhur me anijen.
(Sipas Zërit të Amerikës)