Moskë, 21 maj 2022 – Rusia tha të shtunën se 963 amerikanëve u ka ndaluar hyrjen në këtë vend. Në listen e ‘të padëshiruarve” në Rusi janë edhe Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, Sekretar i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe shefi i CIA-s, William Burns.
Moska tha se do të vazhdojë të hakmerret kundër atyre që i quajti “veprime armiqësore” të Shteteve të Bashkuara.
“Ne theksojmë se veprimet armiqësore të ndërmarra nga Uashingtoni, të cilat kthehen kundër vetë Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojnë të marrin kundërshtimin e duhur”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Ndalimet kryesisht simbolike të udhëtimit janë pjesë e përkeqësimit të vazhdueshëm në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që kur filloi agresioni ndaj Ukrainës më 24 shkurt, që u pasua nga sanksione drastike ndaj Moskës dhe rritja e furnizimeve me armë për Ukrainën nga Uashingtoni dhe aleatët e tij.
Ministria e Jashtme ruse tha gjithashtu se kishte shtuar 26 emra të rinj në listën e kanadezëve që i ka ndaluar të udhëtojnë në Rusi, përfshirë shefat e mbrojtjes, drejtuesit e industrisë së mbrojtjes dhe bashkëshorten e kryeministrit Justin Trudeau, Sophie Gregoire Trudeau.
Lista e re për zyrtarët kanadezë u publikua katër ditë pasi Kanadaja prezantoi një projekt-ligj që do të ndalojë Presidentin Vladimir Putin dhe rreth 1000 anëtarë të qeverisë dhe ushtrisë së tij të udhëtojnë atje.
Rusia kishte ndaluar më parë kryeministrin Trudeau, Ministren e Financave Chrystia Freeland dhe qindra kanadezë të tjerë që të hynin në vend, në përgjigje të sanksioneve kanadeze.
(Zëri i Amerikës)