Dhjetëra mijë rusë që nga fillimi i luftës së Putinit kundër Ukrainës janë vendosur në Serbi – ndonëse shumë serbë e mbështesin politikën e Moskës dhe qeveria në Beograd nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë.
Qendra e fqinjësisë “Krov” ndodhet në një apartament të ngushtë nën çatinë e një ndërtese në qendër të Beogradit. Dhoma kryesore e veshur me dru të kujton një qilar party-sh si në vitet 1970 në Gjermaninë Perëndimore. Normalisht këtu takohen aktivistë të nismave kulturore në kryeqytetin serb. Sot këtu janë ulur rreth 30 gra e burra të rinj rus në karrike portative në një skenë të improvizuar. Flitet rusisht. E kush ka dëshirë i jepet një mikrofon dhe lejohet të këndojë.
“Unë kam ardhur këtu në prill nga Moska”, thotë në bisedë për DW Ilya Piksner, i cili ka organizuar takimin “Open Mic”.
“Kam ardhur me një biletë një drejtimëshe, one-way ticket, bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe me macen”, thotë ai.
Bashkë me aktoret, Ilya menaxhon një studio inçizimesh që prodhon materiale radifonike që nga muzika e deri tek reklamat.
“Që nga sulmi ndaj Ukrainës më 24 shkurt situata në Rusi është bërë gjithnjë e më e padurueshme. Ne na u desh thjesht të largohemi”, thotë llya
Menjëherë pas invazionit Ilya me shokët e kolegët ndihmonin nga studioja e tyre përmes Telegram dhe të tjerave shërbime messenger ukrainasit e kërcënuar që të largoheshin nga kryeqyteti rus.
“Njëri prej nesh, p.sh., ka ndihmuar përmes chat-it një vajzë të re, duke i mësuar asaj si ta ngasë makinën, në mënyrë që të mund të largonte familjen e vet nga zona e luftës. Nëna e saj kishte pësuar një atak paniku dhe nuk mund ta ngiste vetë makinën”, treon ai.
Të tilla aktivitete konsiderohen si tradhëti në Rusinë e Putinit dhe tradhëtarët kërcënohen me dënime disa vjeçare.
Megjithatë Ilya nuk mund të rrinte indiferent pa ndërmarrë asgjë kundër luftës në Ukrainë.
“Ky konflikt është për mua shumë, shumë pranë”, shpjegon ai.
“Shumë miq e kolegë të mi janë nga Ukraina, të afërmit e tyre jetojnë atje, disa madje kanë pasaporta ukrainase. Unë duhet t’i ndihmoj këta njerëz. Por, pas pak javësh u bë e qartë që aktivitetet e tilla në Rusi janë me rrezik”, shton Ilya.
“Frika që dikur ndokush mund të na trokasë në derë shtohej dita – ditës. Regjimi, që pas aneksimit të Krimesë, më 2014, është bërë gjithnjë e më agresiv. Eshtë e qartë se tani që Putin po bën luftë, situata po bëhet edhe më keq”, thekson ai
Mbi 1000 rusë themelues firmash
Por, përse ata e zgjedhin pikërisht Serbinë? Qeveria në Beograd, ndonëse e ka dënuar luftën sulmuese të Rusisë, nuk e ka mbështetur vendosjen e sanksioneve kundër regjimit në Moskë. Një pjesë e madhe e opinionit serb ndihet e lidhur me Rusinë, për shkak të gjuhës sllave dhe besimit të përbashkët ortodoks dhe nuk është vetëm e djathta ekstreme në Ballkanin Perëndimor që e mbështet hapur luftën e Putinit.
Megjithatë që nga fundi i shkurtit vlerësohet se në Serbi janë vendosur 30.000 deri në 50.000 shtetas rusë. Të dhëna zyrtare nuk ka, por është e sigurtë se që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës dhjetra mijëra rusë kanë hapur llogari bankare në Serbi. Po ashtu, mbi 1000 firma me pronarë që kanë pasaporta ruse janë regjistruar pranë Dhomës së Industrisë dhe Tregtisë së Serbisë, shumica e tyre në sektorin e Tekonologjisë së Informacionit.
Udhëtim pa vizë
“Unë vendosa të vij në Serbi, sepse është një ndër të paktat vende ku rusët lejohen të udhëtojnë pa vizë”, shpjegon Katya Khazina.
“Pavarësisht kësaj, është paksa skizofreni që kundërshtarët e Putinit vijnë pikërisht në vendin ku shumë njerëz e mbështesin regjimin e Rusisë”, thotë moskovitja 34-vjeçare.
“Por, unë e duroj këtë, sepse e di që kjo nuk është asgjë krahasuar me vështirësitë që duhet të përballojnë njerëzit për t’u shpëtuar luftimeve në Ukrainë”, shton ajo.
Në Rusi Katya punon në një shtëpi botuese që merret me problemet e gruas. Prej vitesh ajo ka protestuar rregullisht kundër regjimit të Putinit. Në Beograd aktivistja i është bashkuar organizatës joqeveritare „Gratë në të zeza”, që proteston kundër luftrave në Jugosllavi qysh nga vitet 1990, kurse nga shkurti protestojnë edhe kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.
Edhe përkrahësit serbë të Putinit demonstrojnë rregullisht, por ata në përkrahje të Moskës dhe për fitore të Rusisë.
“Mungesë njohurish për Rusinë”
“Raportet e serbëve ndaj Rusisë janë të çuditshme”, shpjegon Katya.
“Faktikisht, në Serbi e mësojnë shumë pak rusishten, pothuajse askush nuk ka qenë ndonjëherë në Rusi”, shton ajo.
“Serbët nuk i dinë as shumë paragjykime që kanë shumë rusë ndaj tyre, p.sh. që i konsiderojnë si punëtorë shumë të ngadalshëm në furnizimin e ushqimit apo si njerëz që jetojnë në një standard shumë të ulët”, tregon Katya.
“Dashuria e shumë serbëve për Rusinë konsiston kryesisht tek mungesa e njohurive për jetën në Rusi, pa folur këtu për represionin e brutalitetin që ushtron regjimi rus, jo vetëm në Ukrainë, por edhe kundër shtetasve të vet, e po ashtu se sa masive është propaganda”, thotë Katya.
Nga shumë bashkatdhetarë të saj në Beograd Katya nuk pret ndonjë gjë.
“Në protestat që ne organizojmë vijnë rregullisht rreth 50 apo më së shumti 100 rusë nga ata që jetojnë në Beograd”, thotë ajo për DW.
“Shumica e rusëve kanë ardhur në Serbi, sepse atyre nuk u funksionojnë më ‘Spotify’ dhe’ Netflix’ në shtëpi”, shton ajo e zhgënjyer.
“Ndër ta ka shumë njerëz apolitikë”, thekson ajo
Jo të gjithë serbët i duan rusët
Faktikisht grupi i Facebook-ut “rusët, ukrainasit, bjellorusët dhe serbët bashkë kundër luftës” i ka vetëm 3624 anëtarë.
“Megjithatë, shumica në grupin tonë vijnë ose nga Serbia ose nga vende të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shpjegon menaxhuesi i grupit Peter Nikitin.
Qëllimi i pranisë në Facebook, në radhë të parë, është që të informojë opinionin serb për aktivitetet me pjesëmarrjen edhe të rusëve kundër luftës në Ukrainë. Nikitin e quan këtë si “Kundër-propagandë”.
Opinioni serb e ka mjaft të nevojshme të ketë informacione për rusët dhe për Rusinë, sepse krahas rusofilisë së përhapur në masë, në Beograd shpesh takon edhe njerëz që kanë një aversion të thellë kundër gjithçkaje që ka të bëjë me ish-Bashkimin Sovjetik. Kamarieri në restorantin “Mala Slavija” thotë se i urren njësoj rusët edhe ukrainasit.
“Ata nuk dinë të sillen dhe mendojnë se meqënëse kanë shumë para mund t’i lejojnë vetes gjithçka që duan”, thotë ai.
Madje, ai as që do ta besojë se në Serbi ka edhe shumë nga shtetet post-sovjetike që nuk i përkasin kësaj kategorie njerëzish.
Shumë serbë nuk e pëlqejnë as faktin se të sapoardhurit nga Rusia po e ngarkojnë tregun e banimit. Serbia është vend i vogël, krahasuar me Rusinë. Shumica e serbëve, pas fundit të “ekzistencës së socializmit real” i blenë banesat dhe banojnë vetë në to. Edhe para fillimit të luftës në Ukrainë, në Beograd qiratë kanë qenë të larta.
“A po e pushtojnë rusët Beogradin?”, pyeste në prill 2022 gazeta bulevardeske ‘Blic”.
“Rusët po blejnë banesa dhe shtëpi pushimi dhe as që duan t’ia dinë për çmimet”, thuhej në artikull.
Sekserët e pasurive të patundshme në Beograd janë dyfishuar pas agresionit rus ndaj Ukrainës.
(DW)