MPJD: Konfirmohet se personi i vrarë në Serbi është Faton Hajrizi

Prishtinë, 22 korrik 2024 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) e Kosovës njoftoi se është konfirmuar se personi që është vrarë nga autoritetet e Serbisë më 19 korrik ështës shtetasi i Kosovës, Faton Hajrizi.

MPJD, përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se të hënën, më 22 korrik, autoritetet serbe kanë dërguar tek autoritetet e Kosovës shenjat e gishtërinjve të një personi, të cilat janë dërguar për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë së bashku me shenjat e gishtërinjve të Hajrizit.

“Pas krahasimit, Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor, – ILECU e Policisë së Kosovës, ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, thuhet në njoftim.

Sipas autoriteteve serbe, Faton Hajrizi, i arratisur nga burgu në Kosovë, e vrau një polic serb dhe e plagosi një tjetër, në orët e para të 18 korrikut në Lloznicë, qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.

Më më 19 korrik, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se autori i dyshuar i vrasjes së policit , i prezantuar si Faton Hajrizi, u vra në territorin e Banjës Kovilaça, prandaj autoritetet e Kosovës kërkuan të konfirmohet identiteti i personit të vrarë.

Serbia ka kërkuar që Gjermania të ekstradojë vëllain e Fatonit, Artanin, pasi në vendin e ngjarjes, u gjetën dokumente në emër të tij.

Gyshohet se Faton Hajrizi kishte udhëtuar nëpër Serbi me dokumente të vëllait të tij, Artanit, i cili është paraqitur para autoriteteve të Gjermanisë, ku dhe jeton, dhe ka thënë se i vëllai, Fatoni, ia kishte vjedhur pasaportën në Gjermani. Deri më tash nuk është konfirmuar vërtetësia e kësaj deklarate.

(r.m.)