Prishtinë, 26 mars 2025 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) tha për Radion Evropa e Lirë se ka refuzuar kërkesën për vizitën e ministrit serb të Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, në Kosovë, në shenjë hakmarrjeje me refuzimin nga autoritetet serbe të vizitës të ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku në preshevë.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, ka dorëzuar kërkesën për vizitën e ministrit Çeku më 20 mars 2025, ndërsa nuk ka marrë asnjë përgjigje nga pala serbe deri më 26 mars, ditën kur ishte planifikuar vizita”, tha për REL-in, Qëndresa Fazliu nga Zyra për Komunikim në MPJD.
“Nga ana tjetër, pala serbe ka parashtruar kërkesën e saj më 24 mars, pra katër ditë pas kërkesës sonë, dhe ka kërkuar që vizita e tyre të marrë përparësi. Pra që ne ta miratojmë kërkesën e tyre para se ata të trajtojnë kërkesën tonë, ani pse ne të parët kemi bërë kërkesën”, shtoi Fazliu.
Nga MPJD-ja akuzuan Serbinë për “qasje destruktive”, duke shtuar se Beogradi synon “të imponojë njëanshmëri në trajtimin e vizitave zyrtare”.
“MPJD rithekson se qasja e Kosovës do të mbetet e bazuar në reciprocitet dhe duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Kosovës”, tha Fazliu nga MPJD.
Më herët gjatë 26 marsit, kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, njoftoi se Çekut për herë të dytë i ishte refuzuar vizita në Preshevë, një nga tre komunat në jug të Serbisë, të banuar me shqiptarë.
Në anën tjetër, ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar.
Sinani ka akuzuar autoritetet në Serbi se fshihen “pas një fasade pro-evropiane”, por vendime të tilla, sipas saj janë “akt i politikës nacionaliste serbe”.
Serbia ende nuk ka dalë me një sqarim se pse iu refuzua kërkesa për vizitë Çekut.
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Llonçar, po ashtu ka njoftuar se autoritetet në Kosovë ia kanë ndaluar kërkesën për vizitë në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut.
Ai ka thënë se ka synuar që të takohet me punëtorët shëndetësorë në institucionet shëndetësore serbe – që konsiderohen ilegale në Kosovë.
Llonçar e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me këto ndalesa të vizitave “drejtpërdrejt po minon normalizimin e raporteve”.
Ministri serb i Shëndetësisë ka pretenduar se për vizitën e tij në Kosovë kishte pasur njoftim, siç kërkohet me marrëveshje.
Çështja e vizitave zyrtare mes Kosovës dhe Serbisë rregullohet përmes një marrëveshjeje të arritur në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Vizitat duhet të paralajmërohen përmes zyrtarëve ndërlidhës të Kosovës dhe Serbisë. Më pas, autoritetet në shtetet përkatëse duhet t’i autorizojnë ato.
Viteve të fundit, si Kosova, ashtu edhe Serbiakanë refuzuar kërkesat për vizita të zyrtarëve qeveritarë, por edhe të figurave fetare, teksa raportet mes dy vendeve janë të tensionuara.
Tensionet janë përshkallëzuar qysh në prill të vitit 2023, kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.
Tensionet kulmuan shtatorin e atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Po ashtu, vitin e kaluar kanali i Ibër-Lepencit në veri u sulmua me mjete plasëse. Për sulmet, Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në to.