Tiranë, 8 shtator 2022 – Muhamet Rrumbullaku është prezantuar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, të enjten në mëngjes, një ditë pas emërimit të tij nga qeveria.
Rrumbullaku prezantoi objektivat e detyrës së tij të re, duke listuar mes tyre edhe porosinë e një dite më parë të kryeministrit Edi Rama për të hequr policët nga kontrollet e automjeteve për shpejtësinë në rrugë. Ai nënvizoi se një tjetër pikë është prezenca e policëve pa uniformë në rrugë, për të rritur evidentimin e elementëve që cenojnë sigurinë e qytetarëve.
“Shpresoj që karriera e gjatë drejtuese në strukturat e policisë të më shërbejë për të dhënë kontributin tim në luftën pa kompromis ndaj korrupsionit brenda dhe jashtë radhëve të policisë. Policia ka nevojë për një frymë të re që e sjell vetëm gjenerata e re e Policisë së Shtetit me përvojën e policëve të karrierës që janë shembull e model. Policia e shtetit mbart të gjitha kapacitetet e nevojshme. Çdo punonjës policie duhet të jetë komod brenda në organizatë.
Do garantoj disiplinë. Nuk ka vend për punonjës policie pa integritet moral, profesional, por për zyrtarë që e shohin punën si kontribut për komunitetin. Kjo do të arrihet me edukim dhe trajnim. Uniforma e çdo polici nuk është vetëm veshje por simbol i luftës së përhershme me krimin. Objektiva do të jenë reformë e thellë ligjore dhe arsimore në të gjitha nivelet e organizimit të Policisë. Rialokim i burimeve njerëzore, riorganizime lokale dhe qendrore.
Analiza për të gjitha mosrealizimet në luftën kundër krimit të organizuar, analizë e thelluar në luftën kundër paligjshmërisë, dekonspirimet e operacioneve policore për dhënien e masave në këtë drejtim. Vlerësim real në lidhje me tendencën në rritje të krimit kibernetik. Vendosja e inteligjencës në çdo veprimtari policore për hetimet proaktive. Së treti, riorganizim i kapaciteteve monitoruese të kontrollit në komunitet, krijimi i rrethanave të reja gjatë kontrolleve me prezencën e policëve pa uniformë me qëllim rritjen e evidentimit të fenomeneve që cenojnë sigurinë. Ulje e prezencës së policëve në territorin e vendit për kontrollit’, u shpreh ai.
Deklarata e plotë:
Dinamika e ndryshimit të marrëdhënieve njerëzore dhe e shoqërisë në tërësi na imponon evoluimin tonë, pasi besnikëria ndaj parimeve themelore kërkon reagime të shpejta ndaj sfidave të reja, siç janë garantimi i zbatimit të ligjit dhe mbrojtja e qytetarëve, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht veprime kolektive të koordinuara, me qëllim që çdo individ të ndihet i sigurtë në vendin e tij.
Përgjegjësia shtohet kur flasim për liritë dhe të drejtat e njeriut. Sot ne jemi në vijim të një rrugëtimi që nuk ka mbarim, rrugëtim që kalon përmes garantimit të lirive individuale. Këto garanci i janë besuar, ndër të tjera, edhe organizatës së Policisë së Shtetit. Ky komponent do të jetë barometri im, për mënyrën se si do të performojë Policia, gjatë periudhës që unë do të jem në drejtimin e saj.
Shpresoj që karriera e gjatë drejtuese e menaxhuese prej shumë vitesh në strukturat e Policisë dhe prej afro 4 vitesh, si Drejtor i Përgjithshëm i AMP-së, të më shërbejë për të dhënë kontributin tim në luftën pa kompromis ndaj të gjitha shfaqjeve të kriminalitetit, të korrupsionit, brenda dhe jashtë radhëve të Policisë, për të garantuar integritet të lartë moral e profesional, përkushtim e përgjegjësi në drejtimin e organizatës dhe për krijimin e një klime sa më të sigurtë, që komuniteti të gëzojë lirisht pronën dhe frytet që i vijnë nga puna e ndershme.
Policia ka nevojë për një frymë të re, që e sjell vetëm gjenerata e re e Policisë së Shtetit, harmonizuar në kontributin dhe eksperiencën e vyer të policëve të karrierës, të cilët janë shembull dhe model për çdo brez të ri të punonjësve të Policisë.
Jam i bindur që sot Policia e Shtetit mbart në vetvete të gjitha kapacitetet njerëzore dhe intelektuale, të domosdoshme për funksionimin e shtetit të së drejtës. Mjafton që këto kapacitete të ruhen, të motivohen dhe të promovohen në karrierë, sipas parimit të meritokracisë dhe të dhënies së shanseve të barabarta.
Çdo punonjës policie duhet të ndihet komod brenda organizatës, ndaj për këtë do të tentoj të zhbëj çdo ndasi apo privilegj të pamerituar, me qëllim që policimi të shihet si profesion, si karrierë, si përmbushje personale dhe si kontribut në familjen, shoqërinë dhe komunitetin tonë të madh.
Menaxhimi efektiv i burimeve njerëzore, trajnimi, trajtimi dinjitoz dhe promovimi i kapaciteteve njerëzore, do të jenë kryefjala e filozofisë sime të drejtimit, duke shkuar paralelisht me mbikëqyrjen e shumëfishtë, disiplinën dhe respektimin rigoroz të ligjit.
Në radhët tona nuk ka vend për punonjës policie pa integritet profesional dhe moral, të inkriminuar apo që bien pre e tundimit të aferave kriminale, por ka vend për zyrtarë policorë që e shohin punën e tyre si mision për komunitetin, si kontribut në ndërtimin e një mjedisi më të sigurtë për fëmijët tanë dhe gur themeli në sigurinë e brezave që do vijnë. Kjo performancë do të synohet të arrihet edhe nëpërmjet edukimit dhe trajnimit të vazhdueshëm të personelit në të gjitha nivelet e Policisë.
Jam i vendosur për të luftuar pa kompromis dhe për të goditur fenomenet e paligjshmërisë, në përpjekjen e pandalshme për të ndërtuar një trupë policore profesionale dhe me integritet të lartë.
Uniforma e çdo punonjësi police nuk është thjesht një veshje, por një simbol i korrektësisë, i sakrificës sublime dhe jetës së pakursyer në luftën e përhershme me krimin.
Objektivat dhe prioritetet kryesore në drejtimin e Policisë së Shtetit do të jenë:
Reformë e thellë ligjore, arsimore, funksionale e strukturore në të gjitha nivelet e organizimit të organizatës së Policisë së Shtetit.
Rialokim i burimeve dhe potencialeve njerëzore, në funksion të formave, tendencave dhe shtrirjes së kriminalitetit, si:
- a) Riorganizime strukturore vendore dhe qendrore, për të rritur evidencën investigative, dokumentuese dhe goditëse ndaj formave të organizuara të shfaqjes së kriminalitetit;
- b) Analizë e thelluar në të gjitha nivelet e organizimit strukturor e funksional të organizatës, për të gjitha mosrealizimet e pritshmërive në luftën kundër krimit të organizuar, në të gjithë format e shfaqjes së tij;
- c) Analizë e thelluar në të gjitha nivelet e strukturave mbi paligjshmëritë, abuzimin me detyrën, veprimet korruptive, implikimin e punonjësve në veprimtari kriminale, dekonspirimet e operacioneve policore, evidentimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e masave profilaktike dhe ndëshkimore në këtë drejtim;
- d) Rivlerësim i kontributeve dhe aftësive profesionale të punonjësve të Policisë, të aftë për të progresuar dhe kontribuar në rezultate konkrete;
- e) Vlerësim real në lidhje me tendencën në rritje të krimit kibernetik, rishikimin e strategjisë sektoriale dhe ngritjen e strukturave në përshtatje me këto dukuri;
- f) Vendosjen e inteligjencës kriminale në qendër të çdo veprimtarie policore, me synimin e vetëm, atë të dhënies prioritet hetimeve proaktive;
- g) Lufta kundër krimit ekonomiko-financiar dhe pastrimit të parave;
- h) Krijimi i një klime sa më pozitive dhe ambienti sa më bashkëpunues, mbi bazën e mirëbesimit me struktura ligjzbatuese në vend, organet e procedimit dhe partnerët ndërkombëtarë.
Riorganizimi dhe rritja e kapaciteteve monitoruese të territorit dhe policimit në komunitet ndaj fenomeneve të dukshme:
- a) Krijimi i rrethanave dhe qasjeve të reja në aspektin monitorues të territorit, nëpërmjet prezencës pa uniformë, me qëllim rritjen e evidentimit dhe produktivitetit dokumentues ndaj fenomeneve që cenojnë sigurinë në mjedis;
- b) Reduktimin e ndjeshëm të kontakteve njerëzore, nëpërmjet uljes së prezencës së shërbimeve të shtuara të menaxhimit të trafikut urban e interurban, në të gjithë territorin e vendit, dixhitalizimin e këtij shërbimi, ofrimin e pajisjeve teknologjike për evidentimin e shkelësve dhe goditjen e paligjshmërive nga të gjithë përdoruesit e rrugës;
- c) Përdorimi i teknologjisë për monitorim në zonat urbane dhe jourbane, që do t’i shërbejë jo vetëm informimit, por dhe dokumentimit të veprimtarive që konsiderohen në shkelje të dispozitave ligjore administrative dhe penale;
- d) Krijimi i një koncepti të qartë strategjik dhe afatgjatë në lidhje me parandalimin e krimit, organizime strukturore dhe partneriteti, duke iu referuar rrethanave, faktorëve dhe kushteve të mjedisit tonë.
Ndërtimi marrëdhënies me komunitetin, si partneri ynë kryesor në luftën kundër paligjshmërisë, në të gjitha format e shfaqjes së saj.
- a) Rritja dhe forcimi i besimit reciprok polici – komunitet;
- b) Hartimi i strategjive, për të bërë të mundur krijimin e një mjedisi të sigurtë për bashkëpunimin me qytetarin;
- c) Përfshirja dhe bashkëpunimi me aktorë dhe faktorë të tjerë, grupe interesi, përfshirë edhe pushtetin vendor, për krijimin e një klime sigurie sa më të lartë për komunitetin;
(Panorama.al)