Mujanoviq: Prapa agresionit në pjesën veriore të Kosovës qëndron Beogradi

Podgoricë, 16 tetor 2023 – Prof. Dr Jasmin Mujanoviq, specialist i politikave për Evropën Juglindore dhe për çështjet ndërkombëtare, ka thënë se nuk ka dyshim se prapa agresionit serb në pjesën veriore të Kosovës qëndron Beogradi zyrtar.

“Është fare e qartë se ajo që ndodhi në Kosovë është shprehje e politikës formale, e politikës thelbësore të Beogradit zyrtar, pra e regjimit të Aleksandër Vuçiqit. Thjesht është e pamundur të besohet se një aksion i tillë paraushtarak do të mund të ishte kryer pa mbështetjen zyrtare dhe shumë serioze të aktorëve shtetërorë, autoriteteve të sigurisë dhe të gjithë aktorëve tjerë relevantë politikë brenda regjimit shtetëror të Serbisë”, ka thënë Mujanoviq në një intervistë për gazetën malazeze “Pobjeda”.

Mujanoviq ka thënë se ajo që ndodhi në Banjskë më 24 shtator ngjan me aktet e agresionit serb në Kroaci në vitin 1991 dhe në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1992, të cilat çuan në konfliktet e përgjakshme në këto dy vende. Ai ka thënë se Kryeministri i  Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar me të drejtë përpjekje për pushtimin e pjesës veriore të Kosovës.

“Ajo që ndodhi në Kosovë m’i kujton tmerrësisht ngjarjet në Kroaci në vitin 1991, në Bosnjë e Hercegovinë në vitin 1992. Siç tha edhe vetë kryeministri Kurti, kjo ishte faza e parë e pushtimit formal të Kosovës nga Serbia, ndoshta një pushtim që nuk e kërcënonte gjithë territorin e Kosovës, por absolutisht kishte për qëllim pushtimin e pjesën veriore, në të cilën do të krijohej një Republika Sërpska e re në Kosovë”, ka thënë ai.

Mujanoviq ka thënë se projekti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë në fakt është përpjekje për krijimin e një Republike Sërpska në Kosovë. Ai ka theksuar se projektet e tilla, që ushqehen nga politika serbomadhe, përbëjnë kërcënim për Bosnjën e Hercegoninën, për Kosovën dhe për Malin e Zi.

“Këto ditë po e ndjekim një debat të vazhdueshëm për formimin e të ashtuquajturit Asociacion të Komunave Serbe. Kjo nuk është tjetër veçse një kopje e zbehtë e Republiks Sërpska, domethënë e atij projektit të Republikës Sërpska që dikur ekzistonte në Kroaci dhe që, për fat të keq, ekziston ende në Bosnjë e Hercegovinë. Ky është një koncept shovinist. Ky është një koncept sektar që e kërcënon Malin e Zi. Sot, gjatë ligjëratës në Cetinje, thashë se mendoj se është mjaft realiste që në pesë vitet e ardhshme të ketë një histori për formimin e komuniteteve të ngjashme në territorin e Malit të Zi, në qoftë se kjo lejohet në Kosovë. Shpresoj se nuk do të ketë etno-territorializëm sepse, siç e kemi parë në tri dekadat e fundit, konceptet e tilla politike vetëm lindin dhe ruajnë konflikte sektare dhe shërbejnë si poligon politik për vazhdimin e agresionit serbomadh dhe makinacioneve të tilla nga njerëz si Aleksandar Vuçiqi apo ndoonjë tjetri që do të shfaqet në të ardhmen, në qoftë se nuk do të ketë një riorganizim të plotë politik në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon”, ka thënë ai.

Mujanoviq e ka cilësuar si “të vdekur” dialogun midis Kosovës e Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ai ka thënë se agresioni Serbisë ndaj Kosovës është produkt i qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Ai dialog qartësiisht ia lejoi Aleksandar Vuçiqit të niste sërish dhunën, përdorimin e dhunës si mjet politik, gjë që është katastrofale jo vetëm për Kosovën e Serbinë, por për të mbarë rajonin. Mendoj se është koha që më në fund Kosova të lejohet të ecë rrugës së saj si shtet sovran, që do të thotë se ato 5 shtete anëtarë të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për arsye krejtësisht të palogjikshme, se është koha që kjo të jetë prioritet i politikës ndërkombëtare kundrejt Kosovës. Nëse Kosova do të njihej nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, Vuçiqit dhe Beogradit do t’i hiqej gjithë pushteti dhe, më në fënd dialogu do të ishte në terren të barabartë. Tani ai është asimetrik, sepse kartat thelbësore diplomatike dhe politike janë në duart e Vuçiqit”, është shprehur ai.

“Derisa të ndryshojë kjo, në Kosovë do të shohim konflikte të reja, edhe më të rrezikshme, dhe gjëra të tilla që mund të kenë pasoja shumë të rënda, madje edhe katastrofalle për Malin e Zi dhe për Bosnjën e Hercegovinën”, ka theksuar Mujanoviq.

(r.m.)