Intervistë e Presidentit të Federatës Shqiptarë te Mundjes, Martin Biba dhënë gazetës “Illyria” – Mundja dhe atletika janë dy sportet themelues të Lojërave Olimpike në Greqinë e lashtë dhe në Lojërat Olimpike modern
-Zoti Biba, ju dolët përpara gazetarëve për të shprehur atë që e quani “lajm shokues” të vendimit paraprak për heqjen e mundjes nga Lojërat Olimpike. Çfarë keni bërë si federatë?
“Lajmi ishte shokues, i vendimit që ka marrë Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, që i propozon kongresit, konventës në Buenos Aires (Argjentinë) që do të mbahet në fund të shtatorit, heqjen e sportit të mundjes nga programi i Lojërave Olimpike. Megjithatë vendimi përfundimtar do të merret në Buenos Aires. Komunikimi im ka qenë me drejtues të Federatës Botërore të Mundjes, të FILA-s, me zëvendëspresidentin e FILA-s zotin Ceno Cenov dhe presidentin e ri në detyrë të emëruar nga bordi i FILA-s, bazuar në Kushtetutën e FILA-s (për t’i hapur rrugë mundjes në botë dhe për shkak të këtij vendimi të bordit, draftvendimit të bordit për t’ia dërguar konventës në Buenos Aires), pra që një personalitet edhe më i lartë i mundjes, Rafael Martineti ka dhënë dorëheqjen. Kjo, pasi sipas Kushtetutës së FILA-s ai ka votëbesuar në Tajlandë veten e tij në bordin e FILA-s dhe rezultati ka dalë 50-50. Vota e Rafael Martinetit nuk është përdorur për të vendosur veton dhe për të kaluar me shumicë pra me votën e tij apo dhe për të qëndruar në krye të Federatës Botërore të Mundjes, por i ka hapur rrugë mundjes për të pasur një president të ri dhe ky është Nenad Lladoviç. Edhe ky është një personalitet i mundjes, që është edhe në byro dhe sapo është zgjedhur në Kongresin e Londrës. Unë kam votuar për zotin Lladoviç gjatë Lojërave Olimpike. Në komunikimin e drejtpërdrejtë që pata me presidentin e ri në detyrë, qartë u pa se duhet ta menaxhojmë me kujdes këtë pjesë. Por, gjithsesi duhet kontributi i të gjithë federateve të FILA-s për të komunikuar, për të bashkërenduar një aksion të ri lobimi që mundja të jetë përsëri në vitin 2020 pjesë e Lojëtare Olimpike”.
-Këto janë zhvillime, por vlerësimi i Shqipërisë që hyn te vendet me shpresë për medalje në sportet vetanake, cili është?
“Këto janë zhvillime botërore dhe Shqipëria është një vend modest. Por, të jem i sinqertë, që vota e Shqipërisë dhe e Kosovës nesër kur të jetë me të drejta të plota në FILA, janë vota të barabarta me vendet e mëdhenj.
Unë kam patur një bisedë me zotin Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për t’i marrë mendimin për këtë prononcim me ju, se çfarë qëndrimi ka vetë Komiteti Olimpik. Zoti Bello në emër të Komitetit Olimpik shpreh shqetësimin për këtë vendim dhe është në përkrahje të Federatës Shqiptare të Mundjes dhe do të lobojë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar që mundja të jetë pjesë e Lojërave Olimpike edhe të 2020-ës dhe ndoshta për një kohë të gjatë në të ardhmen.
Ky është qëndrimi ynë, i FSHM-së dhe ne do të lobojmë. Së pari me ju si media, që jeni realisht suportuesit më të mëdhenj të zhvillimit të sportit dhe të çdo fushe në jetën tonë në Shqipëri. Me bashkëpunimin tuaj dhe homologët e mi këtë po bëjnë, pra presidentët e federatave të mundjes në Europë dhe më gjerë, sepse shpresojmë që të kemi një vendim pozitiv në Buneos Aires në fund të shtatorit, që mundja të jetë përsëri pjesë e olimpiadave.
Mundja, është bashkë me atletikën dy sportet e para olimpike nga lashtësia dhe një ndër pesë sportet më të rëndësishëm e më të lashtë në zhvillimin e Lojërave Olimpike. Dhe, është maja më e lartë e rezultateve dhe organizimit botëror siç i kemi ndjekur të gjithë Lojërat Olimpike. Kam qenë si në Londër, si në Kongresin e FILA-s dhe kudo. Ishin 360 mundësa pjesë e Lojërave Olimpike të Londrës dhe kanë patur një popullaritet si asnjëherë në pallatin dhe në sallat ku u zhvilluan ndeshjet”.
-Po thoni që jeni të kënaqur me KOKSH-in?
“Qëndrimi i KOKSH-it është në anën tonë dhe i falenderoj si edhe në bashkëpunimin që kemi patur si në kualifikimin e trajnerëve edhe në suportimin që na kanë dhënë. Dhe, ne do të kemi krahu i KOKSH-it dhe KOKSH është në krahun tonë, çka është një lajm i mirë për sportdashësit, ashtu edhe për komunitetin e mundjes, që siç e dini është i shtrirë që nga Kukësi deri në Konispol si dhe federata e mundjes me aktivitetet e saj. Ne jemi të kënaqur sepse kemi një angazhim të jashtëzakonshëm të gjeneratave të reja.
Përkrahja e mediave dhe e pushtetit qendror dhe lokal, që është drejtpërdrejtë në kontakt me klubet sportive dhe suportin e drejtpërdrejtë në Shqipëri, pra me mundësat (siç jam interesuar dhe di), për aktivitetin e federatës që unë drejtoj, ka të bëjë me hapësirat që janë krijuar. Kjo, qoftë me grantin që ka ardhur duke u rritur dhe për këtë rritje nga viti në vit e falenderoj ministrin Aldo Bumçi dhe stafin e sportit në ministri, sepse na e bën ne më të mundshme që bazën kryesore të zhvillimit të aktiviteteve kombëtare dhe ndërkombëtare një pjesë të madhe ta mbulojmë me grantin dhe me donacionet. Ndaj, falenderoj këdo që ka ndihmuar. Po ashtu edhe Shoqatën e Mundjes që drejtohet nga presidenti i saj zoti Muhamet Malo dhe anëtarët e saj për qëndrimin pranë federatës qoftë në zhvillimin e Kampionatit Botëror të Veteranëve, si një ngjarje që e keni pasqyruar plotësisht dhe përsëri u falenderoj ju si media”.
-Në çdo rast, pavarësisht veprimtarive botërore apo europiane, Lojërat Olimpike janë maja e sporteve. Shqipëria do të organizojë Botërorin në 2014. Jeni në rrugë me përgatitjet?
“Objektivi kryesor i Federatës Shqiptare të Mundjes, është Kupa e Botës, sëfundmi e dhënë nga Federata Botërore. Në konkurrencë me disa shtete të tjerë, Shqipëria e ka fituar të drejtën për ta organizuar kërtë aktivitet. Me kujdesin e ministrisë së sporteve, të qeverisë, organizmat e tjerë, KOKSH-in dhe Agjencinë e Sporteve, le të shpresojmë dhe do të realizojmë një garë spektakolare, ku do të kenë profilet e tyre brezat e rinj, trajnerët e tyre. Dhe, publiku shqiptar do të shohë një organizim shumë të mirë. Sportistët dhe trajnerët e rinj dhe kushdo, siç e kam theksuar, ka mundësi të shohë sportistë të pjekur. Sepse, dihet që është deri në 20 vjeç kjo pikë. Ju e kuptoni që sportistë 17 vjeç, 18 vjcec, deri në 20 vjeç, kanë filluar kulmin e dhënien së rezultateve e që vazhdon pastaj mbi moshën 20 vjeç që pason moshën e pjekurisë së plotë, pra me të vërtetë piqet edhe nga eksperienca edhe nga profesioni.
Kam në krah veç stafit të federatës, edhe sportistin, mundësin nënkampion europian Sait Prizreni, i cili ka qenë pjesëtar në dy Lojëra Olimpike. Shpresojmë që ta kemi pranë federatës, qoftë si sportist me kontributin e tij, qoftë edhe për eksperiencën e tij për ta vendosur në praktikën tonë të përditshme, pjekurinë e tij, rezultatet e tij, mënyrën e drejtimit, mënyrën e komunikimit me homologët e tij nëpër Europë dhe nëpër botë.
Çështjet janë trajtuar gjatë bisedës që kam patur me zotin Nenad Lladoviç (presidenti në detyrë deri në një angazhim që do të ketë FILA për zgjedhjen e një presidenti të ri me Kongres të Jashtëzakonshëm ose që do të qëndrojë në detyrë deri në kongresin e radhës në 2014). Le të themi edhe hapjen rrugë nga zoti Rafael Martineti (Raphael Martinetti) që e falenderoj për lehtësirat dhe suportin që i ka dhënë sëfundi edhe me bazë materiale Federatës Shqiptare të Mundjes, me dërgimin e dy tapeteve të standardeve olimipike. Me premtimet e antareve të byrosë, dy zëvendëspresidentëve Ahmed Aig (Ayik) dhe Ceno Cenov (Tzeno Tzenov) ne shpresojmë që të kemi një suport qoftë në facilitete, qoftë në kualitetete të trajnimit të trajnerëve.
Komuniteti i mundjes realisht është i shqetësuar. Fillimisht lajmi ka qenë shokus. Por, pas informacioneve dhe kontakteve që kemi pasur, jemi me shpresë që mundja nuk do të pushojë së qeni në Lojërat Olimpike të 2020-ës, por do të jetë pjesë e Lojërave Olimpike në të ardhmen. Ajo çka vlen për mua të theksoj, është se mundja me tërësinë e saj në vendin tonë, është sport elitar. Unë shpresoj shumë që nesër dhe në vazhdimësi, do të mendojmë për të patur, për të shpallur sportet elitare siç e kanë shumë vende. Kështu ëhstë Turqia që duhet marrë shembull qoftë për suportin, qoftë për organiizmin e kampionateve botërore. Unë kam qenë në Kampionatin Botëror bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm dhe Sait Prizreni si pjesëmarrës, ku ne kemi parë live daljen e Elis Gurit kampion bote. Një sportist i tillë, me parametra të tillë, ka vlerësim të madh, siç shihet edhe në faqen e KON-it, ku ende qëndron fotografia e Elis Gurit. Edhe me pjesëmarrjen e tij në Lojërat Olimpike, ku arriti të dalë i 7-i nga një vend i vogël siç është Shqipëria. Që, të kesh një sportist që arrin vendin 7, me interpretimin e tij, që për pak, për një aksion që është dështuar, për 1 pikë, nuk arriti të futet në zonën e medaljeve, çka për vetë Shqipërinë do të ishte një luks”.
-A mendoni se vendimi i KON-it i heq shanse vendeve të vegjël si Shqipëria për të marrë medalje?
“Unë mendoj se vendimi i KON-it dëmton çdo vend, dëmton mundjen në tërësi. Të mos harrojmë që ka kombe të mëdhenj, siç janë SHBA, që e kanë mundjen sport shumë masiv, sport që ka dhënë rezultate dhe që ka marrë medalje olimpike pothuajse në të gjitha Lojërat Olimpike. Po kështu është edhe një komb tjetër, që është Rusia, po kështu është edhe Irani, edhe Turqia dhe pastaj vjen edhe radha jonë si vende të vegjël. Por, që realisht në rajonin Ballkanit dhe në pjesën e Europës Lindore, janë sporte prioritare, sporte me të cilat kërkohen medalje në çdo aktivitet, në kampionate botërorë, në kampionate europianë, qoftë për të rinj, qoftë për të rritur, qoftë për kadetë, janë gara që kanë masivitet të plotë. Pas këtyre aktiviteteve vjen pika më e lartë e sportit që janë Lojërat Olimpike”.
-Përtej kësaj problematike ndërkombëtare. Përsa i përket Federatës Shqiptare të Mundjes, kemi pasur zhvillime të pakëndëshme kohët e fundit, me organizim të asambleve paralele e të tjera. Komenti juaj?
“Së pari nuk janë të pakëndëshme. E dyta, mund të themi që dëmtojnë imazhin dhe angazhimin e trajnerëve dhe të sportistëve. Por, asgjë nuk është në dëm të mundjes kur ka kundërshti dhe kur ka kërkesë për rritje të cilësisë së punës. Federata Shqiptare e Mundjes është e hapur për mendësitë “ndryshe” dhe këto mendësitë “ndryshe” edhe ne na vlejnë, na vënë në pozita pune, na mbajnë në pozita pune, më mirë se sa një situatë normale dhe qetësie. Unë dua t’i falenderoj të gjithë ata që ndërmarrin iniciativa për ta nxitur sportin e mundjes dhe për të nxitur drejtuesit e federatës për të punuar në të mirë të mundjes, siç është qëllimi ynë final, që mundja të përfitojë. Ne jemi kalimtarë, kushdo është kalimtar, mundja do të jetë e përjetshme në Shqipëri”!
-Ku konsiston lobimi juaj?
“Unë u shpreha edhe për veprimet që marrin homologët e mi dhe drejtuesit e e federatave të rajonit dhe të Europës, apo homologët e mi nëpër botë. Lobimi ynë i parë është me Komitetin Olimpik. Unë ua konfirmova qëndrimin e zotit Bello dhe besoj që në ditët që do të vijnë, ata do të shprehen edhe drejtpërdrejtë në marrëdhënie me këtë çështje. Për mua ky është lobimi kryesor! Pra, kur kemi marrë objektin e Komitetit Olimpik, i cili do të lobojë për ne në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Unë do të bashkëpunoj me të gjithë homologët e mi të federatave shqiptare, që të bëjnë të njejtën gjë, sepse një zë dhe një përkrahje, një suport në këto momente, me presidentët e tyre përkatës (pasi disa prej tyre janë antarë të Bordit Ekzekuitv të KON-it), të munden të na suportojnë në këtë pjesë, ashtu siç edhe ne do t’i suportojmë federatat e tjera”.
Nënkampioni europian Sait Prizreni
“Ç’është e vërteta unë kam pasur fatin të jem pjesë në dy olimpiada, në Athinë 2004 dhe në Pekin 2008. Prandaj edhe e kuptoj rëndësinë e pjesëmarrjes në olimpiadë të një sportisti. Ky vendim që është marrë nga KON-i ka shokuar mbarë komunitetin e mundjes, mbarë botën. Por, jam i bindur që në një vendim të dytë, mundja do të jetë pjesë e olimpiadës, jo vetëm në 2020, por edhe në vazhdim. Shpresoj shumë që vendimi që është marrë të anullohet dhe mundja të jetë pjesë e olimpiadës siç ka qenë që nga lashtësia”.