Prishtinë, 25 qershor 2021 – Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria pret që këtë vitë në Kosovë të ketë rritje më të madhe ekonomike se sa ishte projektuar. Sipas tij, kjo rritje pritet të jetë 7.9 për qind, më e larta në vitet e fundit.
Pas mbledhjes së qeverisë, në të cilën është miratuar buxheti i rishikuarpërvitin 2021, ministri Murati ka thënë gjithashtu se deri në fund të këtij viti parashihet të tejkalohen dëmet ekonomike që janë shkaktuar nga pandemia COVID-19.
““Ne i kemi ripërshtatur shifrat, duke u bazuar në të hyrat dhe kemi tejkalim të hyrave të planifikimit fillestar. Ne presim një rritje ekonomike prej 7.9 për qind në terma nominal. Kjo do të jetë rritja më e madhe që ka parë vendi viteve të fundit”, ka thënë ai.
“Jam optimist edhe për rimëkëmbjen ekonomike. Parashihet që dëmet ekonomike që janë shkaktuar gjatë pandemisë të tejkalohen deri në fund të vitit, madje të arrihet edhe rritje shtesë, të rikuperohet i tërë dëmi i pandemisë”, ka thënë Murati.
Ai ka thënë se në rishikimin e buxhetit është përfshirë edhe sektori privat. Sipas tij, qeveria do të dalë së shpejti me një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike.
“Gjatë ditëve në vijim, me rastin e përfundimit të procesit të rishikimit të buxhetit, do të dalim me pakon e rimëkëmbjes ekonomike dhe me masat specifike që parashihen të ndihmojnë bizneset, të punësuarit e rinj, ata që i kanë humbur vendet e punës dhe kategoritë e tjera”, ka thënë ai.
Murati ka thënë se shuma e parave që do të ndahet për rimëkëmbjen ekonomike do të bëhet publike së shpejti, por ka shtuar se shumica e shumës prej 155 milionë eurosh që janë të hyra shtesë do të ndahen për pakon e rimëkëmbjes dhe për projekte të infrastrukturës.
Ndërkaq, ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar për miratimin e Projektligjit për tregtinë e produkteve të naftës. Ajo ka thënë se ky ligj është i rëndësishëm për mbrojtjen e konsumatorit dhe mjedisit.
Hajdari ka thwnw se markimi i tregut të naftës nuk ka qenë i rregulluar me ligj, prandaj udhëzimi administrativ në fuqi është i jashtëligjshëm dhe për këtë është njoftuar edhe Prokuroria e Shtetit.
“E kemi informuar prokurorinë për udhëzimin administrativ që është nënshkruar jashtëligjshëm nga zyrtarët e ministrisë sonë”, ka thënë ajo.
Ministrja Hajdari ka thënë se kjo ministri synon që Kosovën ta anëtarësojë në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).
(r.m.)