“Muri i Nderit” në Prishtinë – homazh kosovarëve që i strehuan hebrenjtë gjatë Holokaustit

Prishtinë, 23 gusht 2023Të mërkurën në Prishtinë ua inaugurua “Muri i Nderit”, në shenjë nderimi për sakrificën e shqiptarëve të Kosovës që kanë strehua dhe kanë marrë në mbrojtje të hebrenjve gjatë periudhës së Holokaustit.

Në këtë monument të ngritur në Parkun e Qytetit në Prishtinë nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, janë shënuar emrat e kryefamiljarëve të 23 familjeve që kanë rrezikuar familjet e tyre për të shpëtuar fqinjët e tyre hebrenj nga Holokausti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Muri i nderit” është homazh për vetëmohimin dhe sakrificën e shqiptarëve në Kosovë që kanë shpëtuar nga etnocidi miqtë dhe fqinjët e tyre hebrenj.

“’Muri…’ nderon individë të jashtëzakonshëm që treguan kurajo të madhe qytetare dhe empati, në një kohë kur okupimi gjerman nazist po mundohej pa mëshirë të shkatërronte dhe të fshinte gjithkënd dhe gjithçka që ishte hebre në Kosovë. ‘Muri…’ i njeh individët me emër. Dhe kjo në vetvete është diçka për t’u gëzuar, se nuk ishte, në asnjë mënyrë, automatike. Veprat heroike të këtyre njerëzve të guximshëm ishin të humbura për botën deri në fund të luftës në Kosovë”, ka thënë ai.

“’Muri i Nderit’, të cilin sot e inaugurojmë, po ashtu dëshmon se populli hebre dhe populli shqiptar ndan një shtëpi, në kuptimin kohor. Përkujtimi i përsëritur i atyre që rrezikuan jetën e vet për të shpëtuar njerëzit e tjerë, është një traditë që përkujton një dritë të rrallë të shkëlqyer në një ndër periudhat më të errëta të historisë njerëzore. Është një traditë, e cila lartëson vlerat e përbashkëta — miqësinë, mikpritjen, dinjitetin dhe njerëzllëkun — dhe i njeh personat që qëndronin pas këtyre vlerave, në kundërshtim të atyre që kërkonin t’i shkatërronin”, ka shtuar Kurti.

“Si çdo përmendore, ky ‘Mur i Nderit’ i përkushtohet jo vetëm historisë, por edhe pasardhësve. Do të sigurojë që herojntë e së kaluarës nuk do të harrohen nga e ardhmja. Do të na japë një përmendore të përhershme, përmes së cilës mund të kthehemi, në mënyrë të përsëritur, tek ajo dritë e shkëlqyer në historinë tonë të përbashkët. Dhe do të shërbejë si një simbol i fuqishëm i miqësisë së përhershme të popujve tanë, tani dhe për brezat e ardhshëm”, ka theksuar ai.

Kurti ka vlerësuar punën e përbashkët të Shoqatës së Miqësisë Kosovë–Izrael dhe Fondacionit Shqiptaro Amerikane për identifikimin e familjeve shqiptare që kanë rrezikuar veten e tyre për vlerat më të larta humane.

“Falë përpjekjeve të tyre, emrat e këtyre herojnve do të mbeten përgjithmonë të gdhendur në këtë mur, në vend që të harrohen me kalimin e kohës”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se ky monument do të jetë simbol i fuqishëm i miqësisë së përjetshme” të dy popujve.

“… domethënia e këtij ‘Muri…’ shkon përtej individëve të cilët i lartëson. ‘Muri…’ jo vetëm se i përkujton veprat e tyre, por edhe shërben si monument për vlerat e përbashkëta dhe miqësinë e qëndrueshme të popullit të Kosovës dhe popullit hebre në mbarë botën”, ka theksuar ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ky monument paraqet vlerat e popullit të Kosovës.

“Ky mur i nderit është më shumë se një strukturë, është një monument i zhytur në histori të jashtëzakonshme. Duke qëndruar përpara tij, zemrat tona mbushen me krenari dhe përjetësojnë një të kaluar që do të frymëzojë breza e breza tjerë me radhë që do të vijnë”, ka theksoi ai.

Ish-kongresistin amerikan, kryetari i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joe DioGuardi, ka thënë se “toka shqiptare është tokë e shenjtë për popullin hebre”.

“Kjo tani është tokë e shenjtë. Ky memorial do të jetë si tokë e shenjtë për popullin hebre dhe për popullin shqiptar”, është shprehur ai.

DioGuardi ka theksuar se është shumë  krenar që është me origjinë shqiptare.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu me ju, jam shumë i lumtur që po i njoh rrënjët e mia shqiptare. Nuk është e lehtë t’ua shpjegoj njerëzve se jam shqiptar, sepse e kam emrin DioGuardi dhe sepse ata nuk e dinë se sa e ndërlikuar është bota, sidomos për shqiptarët, me të gjitha këto ndarje”, ka theksuar DioGuardi.

Ndërsa gruaja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, drejtoreshë Ekzekutive e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, u shprehu mirënjohje të thellë të gjithë mbështetësve të idesë për përjetësimin e kujtimit të kosovarëve që kanë dëshmuar ndjenjën e thellë të sakrificës në mbrojtje të vlerave më tëlarta njerëzore.

“Në kohën që pjesa më e madhe e Evropës ia ktheu shpinën shfarosjes së hebrenjve evropianë, shqiptarët e Kosovës treguan tolerancë, sakrificë dhe guxim’”, theksoi ajo.

Lekë Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael, trashëgimtar i familjes që e kishte strehuar një grup të hebrenjve, tha se është i lumtur që, më në fund, po njihet kontributi i shumë familjeve kosovare. Ai tha se familja e tij vazhdon edhe sot marrëdhëniet me familjet e të mbijetuarve.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pas inaugurimit të këtij monumenti, ka thënë se akti i guximshëm human i shqiptarëve që kanë marrë në mbrojtje fqinjët e tyre hebrenj “duhet të na frymëzojë për të ndihmuar të tjerët në nevojë”.

“I nderuar të marr pjesë në përurimin e Murit të Nderit’ në Parkun e Qytetit në Prishtinë, për t’u bërë homazhe kosovarëve që u kanë ofruar strehim fqinjëve të tyre hebrenj gjatë Holokaustit. Akti i tyre i guximshëm human duhet të na frymëzojë të ndihmojmë të tjerët në nevojë dhe të dyfishojmë përpjekjet tona drejt një shoqërie të drejtë ku të gjithë jetojnë në dinjitet dhe në paqe – një shoqërie ku e kaluara johumane kujtohet dhe nuk lejon të përsëritet më kurrë. Kurrë nuk harrojmë”, ka shkruar ai në Twitter.

 

(r.m.) 

This image has an empty alt attribute; its file name is Muri-i-Nderit-Prishtine-640x400.jpg

This image has an empty alt attribute; its file name is Muri-i-Nderit-Prishtine-1.jpg