Mustafaj e Bajrami shprehin shqetësimin për gjendjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës 

Tiranë, 29 mars 2023 – Botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, dhe shkrimtari shqiptar, Besnik Mustafaj, patën të hënën, në Tiranë, një takim joformal, miqësor.

Ata biseduan për zhvillimet aktuale politike në hapësirën gjeografike shqiptare dhe për veprimtarinë e komunitetit shqiptar në Amerikë, si edhe për letërsi, kulturë, medie e çështje të tjera që preokupojnë botën shqiptare në ditët e sotme.

Por, në qendër të bisedës ishte pozita e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Dy bashkëbiseduesit shprehën shqetësimin për politikat diskriminuese të Beogradit që po shpien në shpopullimin e vendbanimeve shqiptare. Ata theksuan se Serbia, paralelisht me shuarjen e adresave të shqiptarëve dhe me heqjen e tyre nga lista e zgjedhësve, ushtron forma të ndryshme për ngushtimin e hapësirës jetësore për shqiptarët.

Mustafaj dhe Bajrami thanë se përfaqësimi joproporcional i shqiptarëve në organet e pushtetit lokal e në administratën shtetërore, mungesa e shërbimeve publike dhe shkalla e lartë e papunësisë janë shkaktarë të pastrimit etnik të Luginës nga shqiptarët.

Mustafaj, si President i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, e njoftoi z. Bajrami për viztën e një delegacioni të këtij këshilli në Luginë të Preshevës pak ditë më parë. Ai tha se gjatë kësaj vizite kanë konstatuar se gjendja e shqiptarëve atje është shumë e vështirë se sa paraqitet në publik.

Mustafaj tha se shihet qartë se shqiptarët janë të diskriminuar nga Beogradi në të gjitha fushat dhe janë të shpërfillur ose të harruar nga Tirana dhe nga Prishtina.

Mustafaj tha se Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje qeverive të Shqipërisë e të Kosovës, si edhe faktorit ndërkombëtar, të ndëmarrin masa për ndërprerjen e pastrimit etnik të heshtur të këtij entiteti.

Ai njoftoi se një delegacion i Këshillit të Ambasadorëve Amerikanë që do të vizitojë së shpejti Shqipërinë dhe Kosovën do të takohet edhe me përfaqësues të shqiptarëve të Luginës.

Besnik Mustafaj e vlerësoi angazhimin e botuesit të gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami për sensibilimin e Kongresit dhe Senatit të Shteteve të Bashkuara me problemet dhe prekupimet e shqiptarëve në trojet e tyre etnike. Ai e vlerësoi posaçërisht angazhimin e z. Bajrami për rritjen e numrit të anëtarëve të kaukusit të shqiptarëve në Kongres.

Nga ana e tij, Bajrami tha se komuniteti shqiptar në Amerikë është i gatshëm kurdo të japë ndihmesën e vet për kauzat e shqiptarëve kudo, porse ata duhet inkurajuar më shumë nga udhëheqjet dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në fund të takimit, shkrimtari Mustafaj dhe botuesi Bajrami ia dhuruan njëri-tjetrit nga një libër. Mustafaj ia dhuroi Bajramit librin për veten e tij,  në vetën e parë,  rrëfyer në një intervistë të udhëhequr nga Arta Marku, ndërsa Bajrami ia dhuroi librin “Shqiptarët e Amerikës”, i cili konsiderohet si botimi monografik më i plotë për komunitetin shqiptar në Amerikë.

(r.m.)