Mustafaj: Opozita e ka humbur rolin e saj. Shpresoj që demokratët do të rizgjohen

Tiranë, 28 nëntor 2021 – Shkrimtari Besnik Mustafaj, ish-zyrtar i lartë në PartinëDemokratike dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Shqipërisë në Qeverinë e udhëhequr nga Sali Berisha, ka shprehur pikëpamjet e tij lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri, më saktë në Partinë Demokratike.

Mustafaj ka thënë se opozita në Shqipëri, më saktë Partia Demokratike, e cila është forca më e madhe opozitare, e ka humbur rolin e saj.

“Praktikisht opozita është e shfokusuar komplet, është jashtë rolit të saj si opozitë politike ndaj një mazhorance arrogante dhe të korruptuar. Në këtë kuptim shoqëria ka humbur shumë nga kjo humbje e rolit të opozitës, që është një rol kushtetues, është rol politik, por edhe një rol moral për shoqërinë demokratike”, ka thënëMustafaj, në një intervistë për Radion Deutsche Ëelle.

Mustafaj është pyetur edhe për zhvillimet në Partinë Demokratike. Ai ka thënë se ish-kryeministri e ish-Presidenti, Sali Berisha, dhe kryetari i partisë, Lulzim Basha, janë aq larg sa nuk sheh ndonjë mundësi kompromisi.

“Unë konstatoj që Berisha po arrin të zgjojë bazën e Partisë Demokratike, masën e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, e ky është shërbim i madh që ai ia bën Partisë Demokratike. Pastaj prodhimi e rezultati institucional, si do të vazhdojë udhëheqja e drejtimi i Partisë Demokratike, a do të vazhdojë Lulzim Basha apo do të kemi zgjedhje të reja, ky është një problem që nuk e parashikoj dot me siguri, është një problem procedurial, një problem statutor, por edhe një problem që lidhet me karakteret e të dy liderëve, edhe të Bashës edhe të Berishës, që sot faktikisht kanë shkuar në një pikë ku unë nuk shoh asnjë mundësi kompromisi”, ka thënë Mustafaj.

Sidoqoftë ai shpreson se Partia Demokratike nuk do të përçahet, por zhvillimet aktuale do të “rizgjojnë” demokratët.

“… me thënë të drejtën, shpresoj shumë që kjo do të arrijë një qëllim, që është rizgjimi i demokratëve, të cilët pas humbjes së 25 Prillit, ishin në gjendje traumatike masivisht, të dëshpëruar, në gjendje depresive e pa asnjë motivim të vërtetë për të bërë luftë politike”, është shprehur Mustafaj.

Ai ka thënë se nuk beson se ardhja eventuale e Berishës do të çonte në eks-komunikimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Partinë Demokratike.

“Unë nuk jam nga ata pesimistë që mendojnë se ardhja e Berishës do shënonte një luftë mes PD-së dhe Shteteve të Bashkuara. E para, Berisha e ka ndarë çështjen e vet me Departamentin e Shtetit nga dialogu me demokratët. Ka pasur flamuj amerikanë në të gjitha mitingjet e tij dhe ai e ka shpallur se e ka çështje private dhe do ta zgjidhë me drejtësinë. Tjetra, diplomacia amerikane është pragmatiste dhe punon me ata që janë faktorë”, ka thënë ai.

 Por, për pikëpamjete tij, as Berisha dhe as Basha  nuk janë “zgjidhja më e mirë e mundshme” për udhëheqjen e PD-së. 

“Për mua nuk është Berisha zgjidhja më e mirë e mundshme në krye të PD-së, por as Basha nuk është një zgjidhje e mirë”, ka theksuar Mustafaj.

(r.m.)