Fondacioni gjerman në mbrojtje të natyrës, Euronatur, nëpërmjet një deklaratë për shtyp, përcolli vendimin e Komitetit Ekonomik të qytetit të Mynihut për t’u tërhequr nga roli i tij këshillues në projektin e Aeroportit të Vlorës, ku ishte përfshirë edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut (MAI).
“Mynihu po i jep fund përfshirjes së tij indirekte nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Mynihut si këshillues në projektin kontrovers të Aeroportit të Vlorës”, shkruhet në deklaratën për shtyp të organizatës mjedisore gjermane Euronatur.
“Ky është një sukses për EuroNatur, BUND Naturschutz dhe organizatat lokale në mbrojtje të kauzës”, vijon deklarata e mjedisorëve.
Aeroporti i Vlorës vijon punimet fare pranë lagunës së Nartës, në zonën e mbrojtur Nartë-Vjosë, pavarësisht thirrjeve të aktivistëve mjedisorë për të ndaluar projektin që rrezikon vazhdimësinë e specieve në këtë peizazh të mbrojtur, por edhe sigurinë e fluturimeve potenciale.
Fondacioni gjerman mjedisor shprehet gjithsesi se këmbëngulja e tyre u shpërblye, të paktën për sa I përket përfshirjes së gjermanëve. Ata shtuan se kjo fitore ka ardhur pas një lufte dy vjeçare që ata po bëjnë lidhur me projektin e Aeroportit të Vlorës.
“Vetëm përpara një muaji Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh në panairin ITB në Berlin se Aeroporti I Mynihut do të operonte Aeroportin e Vlorës. Tani kjo deklaratë ka dështuar”, u shpreh Gabrier Schwaderer, drejtor ekzekutiv i Euronatur.
Përfaqësuesit e organizatës BUND Naturschutz deklaruan se ata e kishin parë vetë nga afër terrenin për të krijuar një ide mbi situatën, duke dëshmuar tufën e flamingove që jetonin në Lagunën e Nartës.
“Avionët do fluturonin pikërisht mes kësaj zone të mbrojtur”, u shpreh Martin Geilhufe, përfaqësues shteti i organizatës Bund Naturschutz.
“I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare ta ndalojë këtë projekt që sipas nesh dëmton mjedisin dhe është gjithashtu I paligjshëm”, përfundoi Schwaderer nga Euronatur.