Nga Fuat Memelli
Është hera e dytë që brenda një viti mbledh dardharët dhe miqtë e tyre në qytetin e Usterit të Amerikës, i ndjeri Petrit Skënde. Herën e parë na mblodhi në kishën shqiptare ”Fjetja e Shën Mërisë” në qytetin e Usterit, kur i dhamë lamtumirën në muajin shkurt të këtij viti.
U mblodhëm përsëri të dielën e fundit të tetorit në sallën e kësaj kishe, por këtë herë për të parë dokumentarin “Njeriu i shkencës dhe i dijes”, kushtuar fizikantit të shquar dhe intelektualit të kompletuar, Prof. Petrit Skëndes. Ishte një dokumentar i bukur i realizuar nga TRSH “Korça”me skenariste gazetaren e këtij institucioni Erjona Pambuku, operator Alban Mborjen dhe montazhier Pirro Gjatën. Për realizimin e dokumentarit grupi realizues pati mbështetje nga drejtori i RTSH Korçës, Muharrem Meko.
Veprimtaria u çel me një përshëndetje nga dardhari, Sotir Minolla, shok fëminie i Petritit, për t’ja lënë më pas vendin dokumentarit. Me gjuhën filmike, u shpalos figura e Petrit Skëndes në “stacionet” e ndryshme të jetës së tij, që nga fëminia në Dardhë, nxënës i shkollës së 7 vjeçare të Sinicës, i gjimnazit “Raqi Qirinxhi” Korçë, student i shkëlqyer në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, pedagog aty, kontributi në fushën e naftës në zbulimin e vendurimeve të saj me metoda radioaktive, shef sektori e më pas nën drejtor në Institutin e Fizikës Bërthamore, nën kryetar i Akademise së Shkencave, etj.
Kujtime të bukura sollën vëllai i tij Koli Skënde që jeton në Dardhë, bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij, Prof. Doktorët Aleko Minga, Kostandin Dollani, Fatos Ylli dhe Betim Çuçi. Ishin intervista jetësore, plot mbresa dhe konsiderata për Petritin. Gazetarja Erjona Pambuku, me një përvojë 14 vjeçare në radion dhe televizionin e Korçës, autore e disa telereportazheve dhe emisioneve në këtë institucion, kishte gjurmuar fakte e dokumenta aty ku ka punuar Petriti si dhe në vendlindjen e tij në Dardhë. Një ndihmesë të veçantë me foto i ka dhënë skenaristes, dardhara e përkushtuar për vendlindjen, Adriana Stefani, të mara nga arkivi të jatit, fotografit të njohur, Niko Stefani. Mësuam nga dokumentari se Petriti kishte punuar rreth 10 vjet edhe në një kompani të njohur amerikane.
Folën për vlerat e dokumentarit dhe për Petritin, Vaskë Bruko, Klodi Melka, Franklin Zdruli, Andrea Pani, Fato Murraj, ndërsa Adriana Stefani, e cila jeton në Kanada, kishte dërguar një përshëndetje të bukur e cila u lexua aty. Ndër të tjera folësit theksuan se ne si dardharë kujtonim se e njihnim Petrit Skënden, por nga dokumentari mësuam edhe vlera e kontribute të tjera . Mësuam edhe për oratorinë e tij jo vetëm kur jepte leksione në Universitet por edhe më vonë në vitet e punës, në takime brenda e jashtë Shqipërisë. Mësuam edhe për hartimet e bukur që bënte. Komunikimi i tij shkencor dhe i rrjedhshëm, i cili ishte edhe në disa gjuhë, bindi institiucione të rëndësishme të huaja, siç ishte edhe Qendra e Studimeve Bërthamore në Vjenë, që të jepnin mbështetje në aparatura si dhe kualifikime për stafin e Institutit të Fizikës Bërthamore. Autori i këtij shkrimi kishte thuruar shpejt e shpejt disa vargje për Petritin dhe i lexoi atë mjedis . Ja disa nga këto vargje:
PRTRIT SKËNDES
………………………………
Një film sot na mbledhur
Ardhur që nga larg
Qëndisur aq bukur
Me dashuri e art.
Në atdheun që e riti
Plot gjurmë Petriti la
I thjeshtë ai mbeti
E gjoksit nuk i ra.
Prehet sot i qetë
Tok me plot dardharë
Veç shpirti ka ikur gjetkë
Të prehet larg, në Dardhë…
Me veprimtaritë e hërëpasherëshme që organizon Shoqata Dardhare “Bleta” në qytetin e Usterit, i cili prej 100 e ca vjetësh është bërë atdheu i dytë i dardharëve, mban gjallë jo vetëm dashurinë për vendlindjen, gjuhën shqipe si dhe zjarrin e dashurisë për atdheun. Ajo është bërë kështu edhe një model i komuniteteve shqiptare në Amerikë.