NATO bën thirrje për shtendosjen e situatës në veri të Kosovës

Bruksel, 24 shtator 2021 – NATO ka bërë thirrje për shtendosje të menjëhershme të situatës në veri të Kosovës, duke kujtuar se mandate i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, është sigurimi i një ambienti të qetë dhe të sigurtë dhe i lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet .

Thirrja u është drejtuar Beogradit dhe Prishtinës, përmes zëdhënëses së NATO-s, Oana Lungescu, e cila ka kujtuar.

“NATO bën thirrje për de-eskalim në veri të Kosovës. Ne i inkurajojmë të dy palët, Beogradin dhe Prishtinën, që të tregojnë përmbajtje, të shmangin veprimet e njëanshme dhe t’i kthehen dialogut. Mandati i NATO-KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të qetë e të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet”, thuhet në mesazhin e zëdhënëses Lungescu në Twitter.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje gjithashtu palëve që të punojnë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe të angazhohen për zgjidhjen me bisedime të çështjeve të hapura midis tyre.

Grupe serbësh i kanë bllokuar rrugët në afërsi të dy vendkalimeve kufitare në veri, në Jarinjë dhe në Bërnjakë, duke kundërshtuar masën e reciprocitetit. Ato vazhdojnë të qëndrojnë gjatë gjithë kohës në rrugë, në vendet ku kanë vendosur kamionë, automjete të rënda dhe zhavor.

Policia e Kosovës ka dërguar atje forca shtesë, për të mbrojtur sovranitetin e shtetit dhe vendkalimet kufitare nga aktet e dhunshme eventuale. Ata vazhdojnë të mbajnë nën mbikëqyrje zonën dhe të parandalojnë ndonjë incident eventual.

Situata në pjesën veriore të Kosovës është tensionuar prej ditës së hënë, kur Qeveria e Kosovës ka nisur aplikimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve meregjistrime të Serbisë. Kjo masë është ndërmarrë për shkak se Serbia nuk po e respekton marrëveshjen për lëvizje të lirë, të nënshkruar nga të dy palët, në Bruksel, në vitin 2011, në të cilën palët ishin pajtuar që të heqin çdo pengesë për lirinë e lëvizjes në të dyja shtetet.

Beogradi vazhdon praktikën e heqjes ose mbulimit të targave të automjeteve të Kosovës me akronimin “RKS” dhe t’I zëvendësojë ato me targa të përkohshme “Proba”.

Pikërisht këtë praktikë nisi të zbatojë edhe Kosova të hënën. Kështu, automjetet me regjistrim të Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet t’i heqin ose t’i mbulojnë targat dhe të pajisen me targa të përkohshme.

Beogradi zyrtar e ka quajtur këtë vendim të Qeverisë së Kosovës si provokim për Serbinë dhe për serbët në Kosovë. Presidenti i Serbisë ka paralajmëruar se Serbia mund të kundërpërgjigjet me veprime diplomatike, politike e ekonomike. Por, në zonën rreth kufirit me Kosovën, ditëve të fundit, është raportuar për lëvizje të shtuara të xhandarmërisë dhe të ushtrisë serbe. Është raportuar se në zonën pranë kufirit meKosovës janë parë edhe helikopterë të ushtrisë serbe duke vëzhguar terrenin, por incidente serioze nuk janë raportuar.

(r.m.)