NATO bën thirrje për “shtensionimin e menjëhershëm të situatës” në veri

Bruksel, 27 maj 2023 – NATO bëri thirrje që institucionet e Kosovës të shtensionojnë menjëherë situatën në veri dhe të gjitha palët të zgjidhin situatën përmes dialogut.

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi në Twitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

Të premten Policia e Kosovës mundësoi hyrjen e kryetarëve të rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqt dhe Zubin Potokut në ndërtesat komunale, pasi grupe të qytetarëve serbë bllokuan hyrjet për të penguar hyrjen e kyetarëve të rinj.

Protestuesit janë përplasur me policinë, e cila ka përdorur edhe gaz lotësjellës për shpërndarjen e tyre. Pesë policë janë lënduar dhe 4 automjete janë dëmtuar.

Në anën tjetër, Serbia e ka ngritur në shkallën më të latë gatishmërinë luftarake të ushtrisë.

(r.m.)