Tiranë, 8 shtator 2022 – NATO-ja tha sot se solidarizohet me Shqipërinë dhe dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj saj. Në një komunikatë të Këshillit të Atlantikut të Veriut, nënvizohet se “aleatët njohin deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit. Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve”.
Ndërsa thuhet se “NATO dhe aleatët e mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike”, deklarata thekson më tej se “ne do të vazhdojmë të rrisim mbrojtjen tonë kundër aktiviteteve të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen dhe të mbështesim njëri-tjetrin për të penguar, mbrojtur dhe kundërshtuar spektrin e plotë të kërcënimeve kibernetike, duke përfshirë, marrjen në konsideratë të përgjigjeve të mundshme kolektive”.
Deklarata përfunon me një thirrje drejtuar të gjitha shteteve që “të respektojnë angazhimet e tyre ndërkombëtare për të mbështetur një qasje të bazuar në norma ndaj hapësirës kibernetike”.
Një ditë pas vendimit të qeverisë shqiptare për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin, i konsideruar përgjegjës për sulmin masiv kibernetik që goditit sistemet informatike të shtetit shqiptar, në muajin korrik, forca të shumta policore, përfshirë njësitë speciale dhe ato të antiterrorit u shfaqën sot paradite në ambasadën e Iranit, e cila ndodhet në një nga zonat më të frekuentuara në zemër të kryeqytetit.
Sipas vendimit, personeli i ambasadës duhet të linte Shqipërinë, brenda 24 orëve. Mësohet se ata tashmë janë larguar, një pjesë përmes aeroportit, dhe të tjerët në rrugë tokësore.
Forcat e policisë, pas skadimit të afatit 24 orësh, hynë duke ushtruar kontroll në mjediset e ambasadës. Fillimisht ishin njësitë antieksploziv të cilat u futën të parat. Pasi u sigurua se nuk ka rreziqe, ishin njësitë speciale dhe antiterrorit që vijuan verifikimet brenda godinës.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)