Bruksel, 24 janar 2022 – NATO-ja tha të hënën se po vendos forca shtesë dhe po dërgon më shumë anije dhe avionë luftarakë në Evropën Lindore, ndërsa Irlanda paralajmëroi se lojërat e reja luftarake ruse në brigjet e saj nuk janë të mirëpritura, duke pasur parasysh tensionet rreth asaj nëse presidenti rus, Vladimir Putin, ka ndërmend të sulmojë Ukrainën.
Organizata ushtarake e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, tha se po forcon praninë e saj “parandaluese” në zonën e Detit Baltik. Danimarka po dërgon një fregatë dhe po vendos avionë luftarakë F-16 në Lituani; Spanja do të dërgojë gjithashtu anije luftarake dhe mund të dërgojë avionë luftarakë në Bullgari; dhe Franca është gati të dërgojë trupa në Bullgari po ashtu.
Allies are sending more ships & jets to enhance #NATO defensive deployments in eastern Europe. A strong sign of allied solidarity.
— Farah Dakhlallah (@NATOpress) January 24, 2022
Offers include:
🇩🇰 F-16 jets to Lithuania
🇫🇷 troops to Romania
🇳🇱 F-35 jets to Bulgaria
🇪🇸 frigate heading to the Black Seahttps://t.co/2GnJKupEA9 pic.twitter.com/UvsRXpkvLT
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të “marr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”. Ai tha se “gjithmonë do t’i përgjigjemi çdo përkeqësimi të mjedisit tonë të sigurisë, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes sonë kolektive”.
Njoftimi u bë një kohë kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian po përpiqen të tregojnë vendosmërinë në mbështetje të Ukrainës dhe po diskutojnë shqetësimet rreth dallimeve mbi mënyrën më të mirë për t’u përballur me çdo agresion rus.
“Ne po tregojmë unitet të pashembullt për situatën në Ukrainë, me një bashkërendim të fortë me Shtetet e Bashkuara”, u tha gazetarëve në Bruksel, shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili kryeson takimin e ministrave të Jashtëm.
I pyetur nëse BE-ja do të ndiqte veprimin e Shteteve të Bashkuara dhe do të urdhëronte familjet e diplomatëve evropianë në Ukrainë të largoheshin, zoti Borrell tha se “nuk do ta bëjmë të njëjtën gjë”. Ai tha se dëshiron të dëgjojë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më shumë për atë vendim.
Britania e Madhe njoftoi gjithashtu të hënën se po tërheq disa diplomatë dhe vartës nga ambasada e saj në Kiev. Ministria e Jashtme tha se vendimi është “përgjigje të kërcënimit në rritje nga Rusia”.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko, tha se vendimi i Shteteve të Bashkuara ishte “një hap i parakohshëm” dhe një shenjë e “kujdesit të tepruar”. Ai tha se Rusia po mbjell panik mes ukrainasve dhe të huajve, për të destabilizuar Ukrainën.
Gjermania po i ndjek zhvillimet, por ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, theksoi se “nuk duhet të kontribuojmë në trazimin e mëtejshëm të situatës; ne duhet të vazhdojmë të mbështesim shumë qartë qeverinë ukrainase dhe mbi të gjitha, të ruajmë qëndrueshmërinë e vendit”.
Në prag të fillimit të takimit, ministri i Jashtëm irlandez, Simon Coveney, tha se do të informonte homologët e tij se Rusia planifikon të zhvillojë manovra ushtarake rreth 240 kilometra nga bregu jugperëndimor i Irlandës, në ujërat ndërkombëtare, por brenda zonës ekskluzive ekonomike të Irlandës.
“Kjo nuk është koha për të rritur veprimtarinë ushtarake dhe tensionin në kontekstin e asaj që po ndodh me dhe në Ukrainë”, tha ministri Coveney. “Fakti që ata po zgjedhin ta bëjnë atë në kufijtë perëndimorë të BE-së, në brigjet e Irlandës, është diçka që, sipas mendimit tonë, nuk është thjesht e mirëpritur dhe është padëshiruar tani, veçanërisht në javët e ardhshme”.
Diplomatët thanë para takimit të së hënën në të cilin sekretari Blinken do të marrë pjesë virtualisht, se ministrat do të ritheksojnë dënimin evropian të grumbullimit ushtarak rus pranë Ukrainës, që përfshijnë rreth 100,000 trupa, tanke, artileri dhe pajisje të rënda.
(Zëri i Amerikës)