NATO do të shtojë numrin e forcave në gatishmëri të lartë

Bruksel, 27 qershor 2022 – Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të hënën, më 27 qershor, se Aleanca Ushtarake e Atlantikut Verior synon të rrisë ndjeshëm numrin e forcave në gatishmëri të lartë në mbi 300,000 trupa nga 40,000 sa janë aktualisht.

“Ne do të transformojmë forcën e reagimit të NATO-s dhe do të rrisim numrin e forcave tona të gatishmërisë së lartë në mbi 300,000 trupa,” tha Stoltenberg, transmeton REL.

Forca e Reagimit të NATO-s aktualisht kanë një kontingjent prej rreth 40,000 ushtarësh, marinarësh dhe personeli ajror.

Stoltenberg konfirmoi gjithashtu se aleatët do të zgjerojnë dislokimet e trupave në vendet e NATO-s që janë më afër Rusisë.

Vendimet do të zyrtarizohen në samitin historik të aleancës 30-anëtare të NATO-s këtë javë në Madrid, i cili po mbahet nën hijen e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Në samitin e Madridit, NATO do të ndryshojë edhe qasjen ndaj Rusisë, e cila, në strategjinë e fundit të aleancës të vitit 2010, konsiderohej si një partner strategjik.

“Ky nuk do të jetë rasti në konceptin strategjik që ne do të biem dakord në Madrid,” tha Stoltenberg.

“Unë pres që aleatët të deklarojnë qartë se Rusia përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë tonë, për vlerat tona, për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”

(r.m.)