NATO ia zgjat mandatin Stoltenbergut për shkak të luftës së Rusisë

Bruksel, 24 mars 2022 – Me rrezikun e zgjerimit të konfliktit në Evropë, NATO ka ndërmarrë veprime për stabilitet, teksa të enjten ia zgjati mandatin sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, edhe për një vit teksa aleanca ushtarake po përballet me krizën e sigurisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Stoltenberg shkroi në Twitter të enjten se ishte i “nderuar” me vendimin e liderëve të NATO-s që mandati i tij në krye të aleancës të zgjatej deri më 30 shtator të vitit 2023.

“Teksa ne përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në gjeneratë, ne qëndrojmë unik për të mbajtur aleancën tonë të fortë dhe njerëzit tanë të sigurt”, tha ai, pasi presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologët e tij gjatë samitit të mbajtur në Bruksel, u pajtuan për zgjatjen e mandatit. 

Presidenti Biden tha përmes një postimi në Twitter se Stoltenberg ka “bërë punë të mrekullueshme për të udhëhequr dhe forcuar aleancën tonë, veçanërisht gjatë këtij momenti kritik për sigurinë ndërkombëtare”.

Ish-kryeministri norvegjez, Jens Stoltenberg, u emërua në postin e shefit të NATO-s në tetor të vitit 2014. Mandati i tij i dytë ishte paraparë që të përfundonte në shtator.

(REL)