NATO: Koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise

Bruksel, 15 mars 2023 – Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, në një bisedë telefonike me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se e mbështet fuqishëm BE-në në përpjekjet e saj për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai u shpreh se është koha që Kosova dhe Serbia të bëjnë kompromise, teksa shtoi se angazhimi i NATO-s për stabilitet të Ballkanit Perëndimor, do të vazhdojë.

“Kënaqësi të flas sërish me Përfaqësuesin Special të BE-së për Miroslav Lajçak. NATO mbështet fuqishëm përpjekjet e vazhdueshme diplomatike me Beogradin dhe Prishtinën të udhëhequra nga BE-ja. Është koha që të dyja palët të bëjnë kompromise. Angazhimi ynë për stabilitet të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe NATO-n dhe KFOR-in, është i fortë”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen më 18 mars në qytetin e Ohrit, për të diskutuar planin e zbatimit të marrëveshjes së propozuar nga BE.

Kosova dhe Serbia i kanë nisur negociatat e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian më 2011.

Tani për tani të dyja vendet kanë synime të ndryshme për marrëveshjen finale.

(Telegrafi)