NATO, RAMA DHE 1 PRILLI

Fejton nga Rafael Floqi

Një gënjeshtër e pëlqyer, apo një servilizëm në ekstrem do të shpalosej në një këndvështrim sa qesharak dhe aq për të ardhur keq këtë vit më 1 Prill. Të gjitha mediat televizionet dhe gazetat më me emër në Shqipëri, u përpoqën t’i krehin sedrën kryetarit të qeverisë, edhe pse e dinin që ishte e ashtuquajtur “dita e gënjeshtrave”, duke vënë dyshim dhe vetë atë që besojnë se 1 Prilli është ditë si të tjerat.

Po e habitshme, këto rrenat me Ramën, nuk mund të jenë ‘Fake news” nuk ka mundësi të jenë, pasi nuk janë shqiptare, pasi njoftimi tashmë vinte “ kafet e Tiranës”, por mall importi, nga Gjermania. Një ksenofili deri në absurd, për çdo gjë të huaj, një kompleks inferioriteti tek shqiptarët, i njëjti, sado çdo ambasador e shpallim guvernator të pa shpallur të vendit tonë, se po qe rrenë e jashtme besohet.     

Këtë një1 Prill një papërgjegjshmëri kolosale, media që duhet të jetë pushteti i katërt, shpërndan llogje pazari, fake news, me një përkushtim  që mund të shpjegohet me një adhurim deri në vetëmohim si dalldi spiropaliste për “Skënderbeun “ e mediave shqiptare. Te gjitha gazeta e mëdha, të gjithë televizionet e bombarduan publikun me titujt se “kryeministri shqiptar do të bëhej së shpejti shef i NATO-s”. Artikuj shkruesit me një pasion vuajarist prej ndjekësi emisioni “Bigbrother”i e me një servilizëm të pa kërkuar. Imagjinoni “Piktori shefi i NATO-s” pavarësisht se vendi i tij nuk ka asnjë aeroplan dhe se tanket janë shitur për skrap pas marrëzisë kolektive të 1997.

Megjithatë është fakt ky thashethem qarkullon për disa kohësh në rangjet e larta të qeverisë shqiptare, ku njësoj si në rastin kur u përhap fjala se Rama do ndërmjetësonte për të zgjidhur sherrin mes Turqisë dhe Greqisë, apo Rusisë dhe Ukrainës.  Në mediat shqiptare ka adhurues të tij të çmendur që besojnë se Zeusi mund të arrijë gjithçka. Madje edhe vete Zeusi s’u ndje fare edhe duket që i kishte pëlqyer “cette pioson d’ avrille” se gjuhë brisk, siç është nuk mund të rrinte pa bërë zë, siç duket pse kishte mbyllur një ditë më parë diskutimin me popullin e tij, siç duket po bëhet gati për transferimin tek “Olimpi imagjinar” ku i kishin caktuar të zëvendësonte Marsin. Heshtja shton suspensën, dhe  trashëgimtari gjuhë shpatë i  Nolit dhe Konicës sipas fjalëve të tij heshti. Dhe heshtja i pëlqeu, do të ketë menduar se i mjafton që diskutohet ideja. 

Duke ditur që ishte 1 Prilli, një grua shqiptare me mbiemrin e martesës që tingëllon si i huaj që banon në Gjermani, një farë Suzana Starikov, cicëroi për shaka në twiter se “Kryeministri Edi Rama mund të zgjidhet në krye të NATO-s dhe ngriti pyetjen “Kush do të jetë kryeministri i radhës i Shqipërisë?”. Sipas saj kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas janë dy kandidaturat për Sekretar të Përgjithshëm të NATO-s në vend të Jens Stoltenberg. Kaq duhej, dhe fakti u bë i vërtetë “ vloi kazani”. Që ta bërë “zbulimin e besueshëm” iu dhanë zonjës edhe tituj që s’i ka. Jo vetëm kaq…

Kush rrëmon për të vërtetën,  me dy klikime në Facebook zbulon se kjo “ analiste e NATO-s” që shkruan artikuj vetëm më një Prill , është  Suzana, një shqiptare dhe siguron jetesën me përkthime, dhe emrin e vajzërisë e ka Suzana Skenderi.

Ku ka rënë gazetaria, ku ka rënë vërtetimi i burimit, kur “lajmet merren “ nga konspiracionistë, si lefterisuri Alfred Çako, shqiptar dhe ky, si Suzana dhe bëhen fakte?  Pavarësisht dhe pse ishte 1 Prill, ç’rëndësi ka e vërteta,  duhej që lajmi me insistim të shpërhapej në Shqipëri, pikërisht lajmi për liderin global, ndaj duhej që një portal vlonjat një “ ripërtypës interneti” ta shpallte Suzanën edhe akademike por eksperte e NATO-s.

Pre e kësaj dalldie ra edhe një media serioze serbe si B92 e cila e botoi lajmin në faqen e saj. Kjo ndoshta e lidhur dhe me reagimet e fundit të Ramës ne Samitin e NATO-s ku nuk u shpreh, pro nismës se Kroacisë dhe Turqisë për ta futur Kosovën në NATO. Serbët duhet të kenë fërkuar duart.

Por pse të gjithë harruan se ishte 1 Prilli, dita e gënjeshtarëve. Atë e sqaroi vetë Suzana Starikov me një postim të dytë kur pa që ky njoftim u bë viral. “OK më duhet të shpjegoj se e gjitha kjo ishte një shaka për 1 Prillin”, shkroi ajo duke insistuar: “Pavarësisht se kam deklaruar se ishte thjeshtë një shaka e imja për 1 Prillit, mediat nuk ndalojnë së publikuari sikur të ishte një lajm i vërtetë. Kjo është çenduri. Është vetëm një shaka, fshijeni ju lutem, nuk dua të jem burimi i një lajmi të rremë”. Çfarë vetësakrifice , por asnjë media shqiptare nuk e përgënjeshtroi.

Sot Shqipëria shënon 13 vite si anëtarë e NATO-s dhe cicërimat e “akademikes gjermane ne Twitter “nuk duken te jenë rrufe ne qiell të hapur, pasi ideja që Edi Rama mund të zgjidhet ne krye te NATO-s ka kohë që qarkullon në mjediset mediatike dhe politike, si një fakt që gatuhet ne “kazanin”, siç i pëlqen Ramës të 1 Prillit të mediave shqiptare.

“Por, a synon Edi Rama postin e sekretarit të përgjithshëm të aleancës së atlantikut te veriut? Koha do ta tregojë, shkruan Top Channel, por një tjetër kohë që po ecën drejt fundit është ajo e mandatit te Jens Stoltenberg, që mbyll ciklin e tij në këtë post ne shtator të 2023, me një vit shtyerje për shkak të luftës në Ukrainë, luftë e cila ka marrë vëmendje të posaçme e nga NATO. Ndërsa “Shqiptarja “ shtonte se  “Publikisht Edi Rama nuk ka folur kurrë për një ambicie të tij për karrierë politike ndërkombëtare, por të gjithë kujtojnë se ai nisi të shijonte shume turet e tij si kryetar i OSBE, përfshirë edhe vizitat ne Moskë dhe në zonat e konfliktit ruso-ukrainas në Donbas. Rama bëri lajm kur u duk se negocioi mes Erdogan dhe Micotakis për krizën greko-turke, ndërsa shkoi vetë në New York, kur Shqipëria filloi turin dy vjetor si anëtar i Këshillit të Sigurimit. Atij i pëlqen shpesh të vjedhë dritat e spektaklit në takime ndërkombëtare, me këpucë sportive dhe rrëfime hokatare, por të jesh sot sekretar i përgjithshëm i NATO-s, nuk është një spektakël, por një detyrë me përgjegjësi.

“Gjithçka mund të ndodhë, por Brukseli nuk është Tirana, aq më tepër në 1 Prill, shkruan, Top Channel, që mund të përkthehet, nuk kemi se mos besojmë se sot është 1 Prill, pasi lajmi vjen nga burime të jashtme.  Çfarë poshtërimi i rolit të gazetarit dhe të vërtetës, dhe mere mend kur Top Channel që vetë cilësohet se është “një burimin kryesor dhe me prestigjioz të informimit të të gjithëve në Shqipëri, në hapësirën mbarë shqiptare dhe kudo tjetër në botë ku shqiptarët jetojnë”, merre me mend të tjerat.

Lajmi i rremë” është “informacion i fabrikuar që imiton përmbajtjen e medias së lajmeve në formë, por jo në proces apo qëllim organizativ. Nga ana tjetër, organeve të lajmeve të rreme u mungojnë normat dhe proceset editoriale të mediave të lajmeve për të garantuar saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Lajmet e rreme mbivendosen me çrregullime të tjera informacioni, të tilla si dezinformatat informacione të rreme që përhapen qëllimisht për të mashtruar njerëzit.

Nga ana e kryeministrit nuk ka patur asnjëherë reagim lidhur me ambicien për një gjë të tillë, edhe pse kreu i qeverisë ka intensifikuar takimet jashtë vendit. Së fundmi ai u takua me Henry Kissinger, një prej figurave më të njohura në botë, i cili ka mbajtur disa poste të rëndësishme në SHBA. Gjithashtu, Rama u takua edhe me shumë të atakuarin në Shqipëri, manjatin George Soros. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, kryeministri Edi Rama zhvilloi edhe një takim në Akademinë Ushtarake “West Point” në Nju-Jork, ku mbajti një fjalim të shkurtër para qindra studentëve. Nga studio e emisionin “Breaking” në Top News, analisti Artur Zheji tha se kjo do ishte një arritje e madhe për Shqipërinë, por nuk beson se Rama e synon atë post.

“Pse të mos e bëjë. Nëse kupola e madhe vendos se një shqiptar do zgjidhjet sekretar i përgjithshëm, pse jo. Por nuk e ha atë Rama. Nuk ikën nga Shqipëria ai. Këtu i ka rrënjët. Nuk do që ti thahen rrënjët, ku i ka ngulur fort”, tha Artur Zheji.

Gjithsesi, poste të tilla, edhe pse duket të paarritshme për zyrtarët shqiptarë, nuk janë të pamundura. Kryeministri Edi Rama ka mbajtur edhe detyrën e kreut të OSBE, ndërsa zhvilloi edhe disa takime në Moskë dhe Krime, dhe duket si e shmangu luftën. Ndërkohë pas kësaj hajt, mos beso se Piktorit nuk i duhej më këshillimi me popullin, e mos spekulo se tani pasi kishte në dore fatet e Botes “. Procesi i Këshillimit Kombëtar duhej mbyllur më 31 Mars. Qe vet “kandidati për sekretar të NATO-s që bëri me dije se në këtë proces kishin marrë pjesë mbi gjysmë milioni qytetarë. Dhe kjo ishte një dite para bombës se 1 Prillit.

Sipas Ramës me postë kanë dhënë mendimin e tyre 340 143 qytetarë, online 127 130 qytetarë dhe në tenda 95 922. Kreu i qeverisë siguron pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh.

“Dhe me një falënderim të me gjithë zemër për mbi gjysmë milionë shprehje interesi për Këshillimin e parë Kombëtar, si edhe duke i siguruar të tërë pjesëmarrësit se zëri i tyre do të dëgjohet me respektin më të madh, ju uroj të gjithëve një fundjavë të qetë”, shkruan Piktori që pritet që tani të justifikojë çdo veprim te tij me fjalët « Vox Populi , vox day»

Thonë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por kjo e 1 Prillit, doli se nuk ishte kështu, gazeta Tema , botoi një shkrim ku “Nikollë Lesi” pronari i gazetës “ Koha e Jonë” kërkonte me forcë të drejtën e “Copywrite” e dhe kasnecoi se ka muaj që e ka parashikuar këtë gjë, duke e thënë se ai qe i pari, dhe vërtet, ka pasur një shkrim konspiracioni të tillë, bazuar në sondazhe tw gazetës në fjalë.

“Edi Rama ka realizuar qëllimet e tija në Shqipëri, shkruante ai. U bë kryebashkiak, kryeministër sa asnjë kryeministër tjetër pas vitit 1990 dhe po turret drejt NATO-s. Pas Edi Ramës fillon epoka e Erion Veliajt. Ai merr PS-në dhe qeverinë pasi, siç thamë në shtator të vitit të ardhshëm mbaron mandati i drejtuesit të NATO-s.

Ndaj po të shikosh me kujdes edhe prononcimet e Erion Veliajt në takimet nuk thotë më zoti kryeministër, por i drejtohet me emrin Edi. Kaq mjafton për te vluar kazani.

Me kaq historia 1 Prillit u mbyll po duke lënë të hapur dilemën: mediat tona u treguan kaq syleshë thjesht, besojnë në fake news, jetojnë në flluskën e twiterit,  apo adhurojnë aq shumë Ramën edhe pse e dinin që ishin me një 1 Prill?

Për ironi, edhe vete origjina e 1 Prillit,  është një reng që thonë se rrjedh nga mesjeta nga koha e ndryshimit te kalendarëve Julian dhe Gregorian, apo më e lashte, se thonë se rrjedh nga festimet qesharake të Perëndeshës Romake Hillaria, nga vjen edhe në anglisht fjala « hilarious » -super qesharake ashtu si burahaja e mediave shqiptare me këtë lajm në 1 Prill.

Pasi vetëm po të besojmë dihet se si Rama ka zgjidhur problemet e Shqipërisë, pasi i ka ikur gjysma e popullsisë, do të kujtonim Mark Twain që thoshte “Kjo është dita që na kujton se çfarë jemi në 324 ditët e tjera të vitit.”

Dhe do na vinte në mendime ideja se si do ta pikturonte botën piktori me kërpudhat bërthamore kur njerëzimi të kërcënohej nga zhdukja…