Prishtinë, 19 shkurt 2025 – Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veriatlantike, përfshirë praninë e tyre në Evropë.
Kjo deklaratë vjen pas raportimeve nga mediumi gjerman Bild, i cili shkruante për përgatitjet e Italisë në rast të tërheqjes së trupave amerikane nga Kosova.
Në një deklaratë për Telegrafin, NATO thotë se zyrtarët amerikanë kanë riafirmuar përkushtimin e tyre dhe kanë theksuar se parandalimi dhe mbrojtja e Aleancës duhet të mbeten të fuqishme.
“Si pjesë e kësaj, SHBA-ja ka bërë të qartë pritshmëritë e saj që aleatët e NATO-s të kontribuojnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të rrisin prodhimin në mbështetje të sigurisë së përbashkët. NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur gatishmërinë”, thuhet në deklaratën e NATO-s.
Më tej, NATO rithekson përkushtimin ndaj stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, përkatësisht Kosovën.
“Mandati ynë mbetet i pandryshuar, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999. Ne vazhdojmë të kontribuojmë për një mjedis të sigurt për të gjithë komunitetet në Kosovë, duke garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit”, thuhet në deklaratë.
NATO gjithashtu thekson rolin e rëndësishëm të SHBA-së brenda misionit, duke përmendur se aktualisht më shumë se 600 trupa amerikanë janë të dislokuar në kuadër të forcës paqeruajtëse.