Bruksel, 7 janar 2023 – Deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në mediat ndërkombëtare se nevojitet shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë ka ngjallur pikëpyetje rreth situatës së sigurisë.
Kurti i ka bërë këto deklarata duke folur për situatën e fundit në veri dhe deklaratat kërcënuese të Serbisë.
Zyra e Kryeministrit thotë se prania shtesë e NATO-s në Kosovë e zmbraps shtetin serb nga planet e veta.
“Kryeministri ka theksuar se rritja e prezencës së ushtarëve të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen këtu në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovë përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta teksa ne vazhdojmë të rrisim buxhetin për mbrojtje dhe numrin ushtarëve aktiv dhe rezervë të ushtrisë sonë. Po ashtu, prania shtesë e NATO-s në Kosovë spraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen nga Qeveria e Kosovës, për RTV Dukagjini.
Selia qendrore e NATO-s në Bruksel ka thënë se nga Qeveria e Kosovës nuk ka marrë një kërkesë e tillë, por ka bërë të ditur se vendimi për shtimin e trupave në misionet e saj mund të merret vetëm nga vendet aleate në NATO.
“Nuk ka pasur një kërkesë të tillë. Vendimet për madhësinë dhe strukturën e forcave merren nga Aleatët e NATO-s, bazuar në këshillat e komandantëve tanë ushtarakë”, thuhet në përgjigjen nga NATO-s për TRV Dukagjini.
NATO ka treguar se KFOR-i ka shtuar praninë dhe patrullimet në pjesën veriore të Kosovës prej muajit tetor.
“KFOR-i ka rritur praninë dhe patrullimet e tij në veri të Kosovës që nga tetori, dhe mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin e tij në përputhje me mandatin e tij të OKB-së. Çdo ndryshim në qëndrimin e forcës sonë në KFOR mbetet i bazuar në kushte. Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, thuhet në përgjigjen nga NATO-s.
(Sipas Telegrafit)