Ndahet nga jeta gazetarja e Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi

Uashington, 16 shtator 2023 – Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv “Ditari” të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit.

Ajo la pas bashkëshortin, tre djemtë dhe nënën.

Kolegët e saj e vlerësojnë ikjen e parakohshme të saj si humbje të madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.

“Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti. Ne, kolegët e saj të Zërit të Amerikës, do ta mbajmë mend Rudinën për mprehtësinë, dinamikën, humorin dhe përkushtimin e saj”, thuhet në një dedikim të tyre.

Gazetari e moderatori i Zërit të Amerikës, Shaqir Salihu, tani në pension, e vlerëson Rudina Dervishin si grua fisnike, me virtyte ta larta njerëzore e morale.

“Me Rudinën kemi punuar bashkë e në harmoni të veçantë që prej vitit 1995 e deri më 2012, kur unë dola në pension nga Zëri i Amerikës në Washington. Ishte një kolege shumë e mirë, me virtyte të larta njerëzore e morale. Një grua fisnike, me tipare të një shqiptareje të vërtetë. Nuk do ta harrojmë kurrë”, ka shkruar Salihu.

(r.m.)