Ndahet nga jeta shkrimtari e dramaturgu Fadil Kraja

Tiranë, 18 nëntor 2021 – Ndërron jetë nëmoshën 90-vjeçare shkrimtari e dramaturgu i njohur shqiptar, Fadil Kraja.

Lajmin e hidhur e ka dhënë Teatri “Migjeni” në Shkodër, përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Për nder të tij do të mbahen homazhe nesër, nga ora 9 deri në orën12, në hollin e teatrit “Migjeni”, në Shkodër.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se vdiq në moshën 91 vjeçare, shkrimtari e dramaturgu i shquar shqiptar, “Kalorsi i urdhrit së Skenderbeut”, “Mjeshtri i Madh”, “ Krenaria e Qytetit”, Fadil Kraja.🥲

Homazhet për këtë figurë të shquar zhvillohen nesër, me datë 19, nga ora 9-12, në hollin e teatrit “Migjeni”. Teatri “Migjeni” i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes dhe gjithë komunitetit të artistëve!

I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!

U prehsh në paqe Fadil Kraja!🙏🙏🙏”, thuhet në mesazhin e Teatrit.

KUSH ISHTE FADIL KRAJA?

Fadil Kraja u lind në Shkodër më 1931. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin e Shkodrës, ku spikati me talentin për letërsinë. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Filologjisë, dega Gjuhë-Letërsi. Pas diplomimit punoi në profesionin e mësuesit të cilin e trashëgonte edhe nga familja e tij.

Në vitin 1950, e filloi punën për herë të parë si mësues në fshatin Mjedë. Në atë kohë nuk kishte shkollë në këtë fshat, kështu që mësimi zhvillohej në shtëpinë e njërit prej banorëve, Hasan Metit. Kjo shkollë i kishte 50 nxënës, të ardhur nga 8 fshatra (Shelqet, Spathar, Laç, Qyrsaq, Hajmel, Ganjoll, Kaç, Naraç) dhe 4 mësues (Isak Ramadani, Fadil Kraja, Rifat Barbullushi dhe Gita Shani).

Fadil Kraja kontribuoi për vite me radhë si mësues i nderuar në fshat e në qytet, duke nxjerrë nxënës e studentë që u shquan më pas në fusha të ndryshme, p.sh. në letërsi dhe art.

Ai luajti rol të madh edhe në gjallërimin e Gjimnazit të Shkodrës, si mesues i letërsisë. Më vonë ai punoi si pedagog i letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Për disa kohë e drejtoi Klubin e Rinisë dhe më vonë ishte anëtar i përhershëm i Këshillit Artistik të Teatrit “Migjeni”. Nga viti 1972 deri më 1992 ka qenë shkrimtar i lirë në profesion dhe ka vazhduar punën si pedagog i jashtëm në fakultet. Njëkohësisht ka qenë kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për Shkodrën.

Fadil Kraja është autor i mbi 50 dramave, disa prej të cilave janë vënë në skenë nga teatro profesioniste e amatore shqiotare, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Më e njohura për publikun është drama “Fisheku në pajë”, e cila është inskenuar në  shumë tatro. Vetëm në Shkodër kjo dramë është shfaqur rreth 500 herë.

Për dashamirët e artit e letërsisë, sidomos të teatrit, janë të njohura edhe dramat tjera të Krajës, si: “Sinjalet e natës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve”, “Gjaku i Arbërit”, “Rozafa”, “Njerëz të ditëve tona”, “Dy jetë”, “Nata e fundit” etj.

Kraja është edhe autor i tri romaneve, tri përmbledhjeve të tregimeve dhe tri përmbledhjeve të poezive. Ai është edhe autor i shumë dramave për fëmijë, skenarëve të filmave e librete operash dhe operetash.

(r.m.)