Ndalohen 14 të dyshuar për fajde që lidhen me rastin “Brezovica”

Prishtinë, 2 mars 2023 – Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se 14 persona, të dyshuar për fajde, që lidhen me hetimet në rastin “Brezovica”, janë ndaluar gjatë  një operacioni të kryer në Prishtinë, Ferizaj, Vushtrri, Lipjan e Viti, të enjten, më 2 mars. Gjatë operacionit janë gjetur dhe konfiskuar: para, vetura, armë dhe dokumente të ndryshme.

“Sot, ka realizuar një aksion i cili ka rrjedh në kuadër të hetimeve lidhur me rastin “Brezovica”, ku, me ç’rast gjatë këtij aksioni, janë kontrolluar dhe bastisur një numër i madh i  autosalloneve, shtëpive dhe lokaleve përcjellëse në lokacione të ndryshme, konkretisht në qytetin e Prishtinës, Ferizajt,Vushtrisë, Lipjanit, komunës së Vitisë, ku, me ç’rast janë arrestuar katërmbëdhjetë (14) persona të dyshuar”, ka njoftuar Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Sipas prokurorisë, të dyshuarit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar  në kohëzgjatje prej 48 orësh.

“Për shkak të dyshimit të veprave penale “Fajdeja” nga neni 331 par.3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.1 lidhur me par 3 të KPRK-së dhe “Detyrimi” nga neni 328 par.2 të KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria.

Në mëngjes, Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se hetuesit po kryenin bastisje dhe  kontrolle në disa autosallone, shtëpi dhe lokale përcjellëse në Prishtinë, Ferizaj, Vushtri dhe Lipjan.

Ndërkaq, Policia ka konfirmuar se po kryente një operacion lidhur me rastin “Brezovica”, i vili po zhvillohej në disa lokacione të katër rajoneve: Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan.

(r.m.)