Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, ka bërë ndalimin e shtetasve;
1-Gani Ali Shehu, i datëlindjes 04.04.1987, banues në Tiranë, ish Përgjegjës i Sektorit Ligjor në IEVP Peqin.
2- Lulzim Fadil Kaziu, i datëlindjes 19.08.1957, lindur e banues në Peqin me detyrë kartelist në sektorin ligjor në IEVP Peqin.
Ndaj këtyre shtetasve Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan bazuar në materialin referues të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brëndshëm në Burgje, ka rregjistruar Procedimin Penal Nr.1642 të vitit 2021 për veprën penale “Shpërdorim i Detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25 i Kodit Penal.
Shtetasit e ndaluar, në bashkëpunim me njëri tjetrin me veprime aktive konkrete kanë konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodi Penal, duke sjellë për pasojë përfitime të paligjshme për të dënuarit L.H, në lidhje me uljen e dënimit dhe duke administruar në dosjen penale të tij, kartela punësimi të fallsifikuara.
Shërbimi i Kontrollit të Brëndshëm në Burgje, mbetet i përkushtuar në misionin për garantimin e zbatimit të ligjit në sistemin e burgjeve, si dhe goditjen e çdo rasti paligjshmërie.