Ndalohet në Kosovë gazetarja ruse Daria Aslamova

Prishtinë, 6 gusht 2022 – Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se Policia e Kosovës e ka arrestuar gazetaren ruse Daria Aslamova në një vendkalim kufitar me Serbinë, në pjesën veriore të Kosovës.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri Sveçla ka shkruar se autoritetet e Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj dhe se shumë shtete kanë vërtetuar se ajo “ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares”.

“Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë”, ka thënë mes tjerash Sveçla.

Ai ka treguar se Aslamova ajo është ndaluar dhe organet kompetente po merren me zbardhjen e qëllimeve të saj në Kosovë.

Ministri Sveçla ka publikuar edhe foto të Daris Aslamovës me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, me presidentin e Sirisë, Bashar al Asad, me ushtarë rusë në Ukrainë e të tjera.

Aslamova është fotografuar edhe me persona me histori të bujshme kriminale, si me ish-diktatorin e Irakut, sadam Husein, me kriminelin e luftës në Bosnjë e Herecegovinë, Radovan Karaxhiq, etj. Në internet gjenden edhe shumë foto të saj me ushtarë dhe me armë të ndryshme.

Postimi i plotë i ministrit Sveçla:

Sot, në pikë kalimin kufitar në veri të vendit është ndaluar Daria Aslamova. Shumë shtete e kanë vërtetuar se ajo ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares. E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës.

Autoritetet e Republikës së Kosovës kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e saj por edhe se në disa shtete ajo e ka të ndaluar të hyjë përshkak të veprimtarisë së saj. Me këtë rast, ajo është ndaluar dhe po vazhdon angazhimi i akterëve përkatës deri në zbardhje të qëllimeve të saj.

Theksojmë faktin se ajo tenton të hyjë në Republikën e Kosovës një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njejtën ditë kur të njejtat struktura që orkestrohen nga Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policor. Tentimi i saj për të hyrë në vendin tonë përveç që përkon me zhvillimet në veri të vendit, i dëshmon qartë lidhjet dhe propagandën ruse të cilës i është bashkuar tashmë Serbia dhe që kanë për qëllim destabilizimin e vendit tonë.

May be an image of 2 people, people standing and indoorMay be an image of 4 people and outdoorsMay be an image of 1 person

(r.m.)