Këto ditë Shtëpia botuese UEGEN Tiranë botoi poemën “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” shkruar e botuar në gjuhën kroate në vitin 1759 nga poeti franceskan kroat don Andrija Kaçiq Mioshiq – Libri në gjuhën shqipe ka 142 faqe dhe është përkthyer nga kroatishtja nga gazetari i televizionit të Prishtinës Smajl Smaka
Andrija Kaçiq Mioshiq e ka përjetësuar figurën e Skenderbeut në shtatëmbjedhjetë poezi epiko -historike që ai vet i quan ”cikël” vjershash. Vështruar nga aspekti estetik dhe teoriko- letrar ky cikël i ka të gjitha premisat e epit historik, si zhanër i poezisë epiko-historike. Heroi kryesor është Skenderbeu, të cilin në poezitë e Kaçiqit e gjejmë si Jure Kastriotiq Skenderbeg. Ai e quan me këtë emër, sikundër edhe shumë figurave tjera historike ua ndërron emrat. Skenderbeut ai herë ia jep ofiqin ban, herë e quan princ, herë e quan mbret. Kështu ngjet edhe me Mojsi Golemin, të cilin e quan me emrin Musa, Hamzë Kastriotin e quan Amexha. Të gjitha ngjarjet e këtyre poezive kanë një syzhe të përbashkët, janë të lidhura dhe komunikojnë me personazhin dhe jetën e heroit kryesor, Skenderbeut.
Poeti ka krijuar tabllo të një jete që i përngjan ferrit të Dantes, kur na sjellë atmosferën e rëndë të luftërave të përgjakshme në të cilat bien dhe krijohen heronj. Kaçiqi ka krijuar një ep të fuqishëm për Skenderbeun, sidomos po të merret parasysh koha kur është shkruar. Të gjitha poezitë kanë tituj të veçantë, duke mbetur mes vete si diçka e pathënë, sikur autori ka dashur për të lënë diçka pa thënë, vargje të pashkruara, episode të paparaqitura, të cilat lehtë nënkuptohen. Sikur ka dashur të kap vetëm kulmet e ngjarjeve, por mëgjithatë detaji është karakteristikë themelore e këtij cikli, deri te ato më të imta, duke paraqitur zhvillimin e ngjarjeve nëpër beteja , organizimin e luftës, strategjinë luftarake të palëve ndërluftuese. Poeti jep edhe shifra për numrin e ushtarëve që hyjnë në beteja, numrin e të vrarëve, të të plagosurve. Por, poeti sikur e kalon pa e spikatur sa duhet jetën emocionale intime, fëmijërore dhe rinore të heroit të poezive të tij. Kështu, formësimi i Skendërbeut si personazh dhe hero na duket paksa i kurdisur artistikish dhe nganjëherë jashta kuadrave të vërtetësisë jetësore Shikuar nga kjo pikë, Kaçiqi ka mëtuar që nga Skenderbeu të krijojë një hero ideal. Personazhi i Skenderbeut të Kaçiqi nganjëherë mbetet kontravers ,duke vepruar ashtu si diktojnë kushtet, momentet dhe situatat, në të cilat sprovohet si hero.Poeti është përpjekur t’u shmanget shabllonizimeve në profilizimin dhe në projektimin e personazheve vetëm bardhë, por e projekton sipas skemën bardhë e zi. Skendërbeun e Kaçiqit e shohim ngadhnjimtar në të gjitha betejat, por e shohim edhe të thyer e humbës, e shohim si urtak, por edhe si shumë të ashpër, edhe si mashtrues i armikut ,por edhe atë të mashtruar nga armiku. Pra, Skenderbeu i Kaçiqit nuk është idealizuar, nuk është deri në fund ëngjëll.. Ai nuk u përngjan personazheve të kreshnikëve të epikës legjendare ballkanike. Në poezitë e Kaçiqit ,në mbi 7OO strofa është arritur që të krijohet, të profilizohet relativisht mirë portreti fizik, moral, psikologjik dhe social i heroit.
Përveç portretimit të jashtëm dhe të botës së brendshme të heroit, Kaçiqi e ka paraqitur Skenderbeun edhe si strateg të shkëlqyeshëm të luftës, organizator të jetës ushtarake, orator dhe së fundit ndonëse mjaft zbehtë edhe si diplomat dhe si njeri të epikës historike dhe legjendare.
Poezitë e Kaçiqit kanë rëndësi më të madhe historike e gjuhësore se sa letrare.Poeti në këto poezi spikatë një prozodi me figuracion relativisht të ndërtuar mirë artistikisht.Aty hasim trope e figura të përdorura relarivisht mirë. Nga figurat e tropet ka përdorur metaforën, epitetin, krahasimin, alegorinë, ironinë, sarkazmën,etj. Nga fusha e metrikës ,ndërkaq ka përdorur kryesisht katrenën si strofë më të preferuar, por aty këtu gjejmë edhe strofa me gjashtë vargje,.
Vargu i preferuar i Kaçiqit është dhjetërrokëshi. Vargjet kryesisht janë të parimuara me asonanca dhe disonanca. Rrallë e hasim rimën e përputhur.
Libri Gjergj Kastrioti Skenderbeu është ndër veprat më të vlefshme të letërsisë kroate të shekullit 18 dhe nder librat më të lexuar dhe me më shumë ribotime . Që nga botimi i parë më 1756 deri në vitin 1989 libri ka patur 57 ribotime.