Prishtinë, 11 korrik 2024 – Miratimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial (KPK) dhe Ligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Kuvendi i Kosovës ka nxitur reagime të forta të misioneve ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike në Kosovë, si edhe të organizatave ndërkombëtare për lirinë e medies.
Emërues i përbashkët i reagimeve të tyre është shqetësimi se pushteti në Kosovë i hartoi këto dy ligje ashtu që të krijojë mundësi për të vendosur nën kontroll dy prej sistemeve më të rëndësishme në shoqëritë demokratike, systemin prokurorial dhe mediet e pavarura.
Misionet e BE-së dhe OSBE-së në Kosovë shprehin keqardhje që partia në pushtet nuk i mori parasysh rekomandimet e ekspertëve të fushës dhe miratoi ligje që nuk i përmbushjun standardet evropiane.
Më i ashpër ndaj Ligjit të ri për Këshillin e Pavarur të Mediave është shprehur sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, I cili e ka cilwsuar ditwn e sotme si “ditw tw zezw zezë për lirinë e medias dhe për demokracinë” në Kosovë.
BE: Kuvendi i Kosovës humbi mundësinë t’i kishte dy ligje të mira
Shefi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, është shprehur se Kuvendi i Kosovës ka humbur mundësinë që t’i ketë dy ligje të mira, duke thënë se dështoi t’i përfshinte rekomandimet e BE-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare në Ligjin për Këshillin Prokurorial (KPK) dhe Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM).
Szunyog, në një reagim në rrjetin social X, ka shkruar se ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së, por edhe me “sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve”.
“Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i adresojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet evropiane. Lidhur me projektligjin për zyrtarët publikë, i bëj thirrje Kuvendit që t’i rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që ai t’i përmbushë standardet e BE-së dhe ato evropiane”, është shprehur ai.
Zyra e Bashkimit Evropian ka shprehur keqardhje që rekomandimet e saj për këto ligje nuk janë marrë parasysh.
Sipas reagimit, rekomandimet e BE-së për Ligjin për KPM-në dhe KPK-në synojnë përmirësimin e tyre dhe sigurimin e pajtueshmërisë me standardet dhe praktikat më të mira evropiane.
OSBE: Ligji i ri i KPM-së e cenon pavarësinë e medies në Kosovë
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka shprehur shqetësimin për miratimin e Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve.
“KPM-ja luan një rol kyç në kornizën rregullative të mediave të Kosovës. Aftësia e saj për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe profesionale ka qenë çelësi i besueshmërisë dhe autoritetit të saj. Ekspertët ndërkombëtarë për të drejtën e medias, në emër të Këshillit të Evropës, të Bashkimit Evropian dhe të OSBE-së, dhanë rekomandime të detajuara për përafrimin e këtij ligji me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, për fat të keq, shumica e këtyre rekomandimeve nuk janë pasqyruar në ligjin e miratuar”, thuhet në reagimin e misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ky mision ka theksuar se në rekomandimet kryesore të ekspertëve, të cilat nuk janë marrë parasysh, kanë të bëjnë me dispozitat e reja që do të kenë ndikim në përbërjen, në rolin dhe në përgjegjësitë e KPM-së, si edhe në procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të rinj.
“Zgjerimi i juridiksionit të KPM-së në mediat sociale, i shoqëruar me mungesën e kritereve të qarta për bllokimin e përmbajtjeve të dëmshme, ngre shqetësime për proporcionalitetin dhe ka implikime të mundshme për lirinë e shprehjes. Janë bërë disa përpjekje për të rishikuar disa nene për të arritur qartësi ligjore dhe për të futur masa mbrojtëse procedurale, por ligjit i mungojnë ende mekanizmat efektivë të vetërregullimit”, thuhet në reagim.
“Ekspertët ndërkombëtarë ofruan komentet dhe rekomandimet e tyre në përpjekje për të siguruar që ky legjislacion i ri jo vetëm që do të pasqyronte standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira, por gjithashtu do të ishte i përshtatshëm për qëllimin, që do të forconte Komisionin e Pavarur të Mediave dhe do të ruante pavarësinë shumë të rëndësishme të këtij organi”, thekson misioni i OSBE-së në Kosovë.
Gutierrez: Ditë e zezë për lirinë e mediave në Kosovë
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Ricardo Gutierrez, ka reraguar ashpër ndaj miratimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Medieve nga Kuvendi i Kosovës.
Gutierrez e ka cilësuar miratimin e këtij ligji si “ditë të zezë për lirinë e medias dhe për demokracinë” në Kosovë.
“Kosovë: Parlamenti sapo e miratoi ligjin për media (Ligji për Komisionin e Pavarur të Mediave) pavarësisht këshillave nga KE, BE, OSBE dhe Federata Evropiane e Gazetarëve për të mos e bërë këtë. Sot është një ditë e zezë për Lirinë e Medias dhe Demokracinë në Kosovë. Partitë politike opozitare bojkotuan seancën”, ka shkruar Gutierrez në platformën X.
(r.m.)