Rrezikohet certifikimi i zgjedhjeve
Afrimi i 23 qershorit kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare ka rindezur debatin e krizës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Në një kohë kur vëzhguesit e OSBE/ODIHR-it dhe përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar vendimmarrjen e KQZ-së në disa raste në shkelje të ligjit gjithçka do të bëhet edhe më e vështirë pas ditës së zgjedhjeve.
Prej muajsh, tanimë tre prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Denar Biba, Albana Shtylla dhe Jani Jani) kanë dhënë dorëheqjen pas nismës së debatueshme të mazhorancës për shkarkimin e një anëtari të propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim (Ilirian Muho) dhe zëvendësimin e tij me një propozim të Partisë Republikane (Klement Zguri). Aktualisht ky institucion po funksionon vetëm me katër anëtarët e propozuar nga mazhoranca Lefteri Lleshi, Hysen Osmanaj, Vera Shtjefni dhe Klement Zguri.
Kryesuesja e misionit vëzhgues të ODIHR-it Koni MekKormëk (Conny McCormak) në një intervistë për radion gjermane “Dojçe Vele” (“Deutsche Welle”) deklaroi se “ligji është shumë i qartë dhe mendoj që çështja për ne dhe këdo tjetër është që zgjedhjet po afrohen dhe vendimi se kush do t’i fitojë ato, certifikimi i rezultatit kërkon qartësisht një shumicë të cilësuar prej pesë anëtarësh”.
Kjo situatë ka sjellë edhe angazhimin e drejtpërdrejtë të Këshillit të Evropës i cili ka dërguar në Tiranë një delegacion të kryesuar nga Luka Volonte (Luca Volonte). Pas takimeve me përfaqësuesit e lartë të institucioneve shtetërore dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Volonte sqaroi se “moszgjidhja ende e krizës lidhur me përbërjen e KQZ dhe kur ai nuk perceptohet si i paanshëm, zhvillimi demokratik i zgjedhjeve është në rrezik. Një përbërje në përgjithësi e pranueshme, shumë partiake dhe institucionalisht e pavarur e KQZ është një nevojë urgjente”.
Në këtë formë, Këshilli i Evropës insiston se KQZ është një problem shumë serioz dhe për sa kohë që nuk është i pavarur, krijon një situatë shumë të rrezikshme lidhur me rezultatet e këtyre zgjedhjeve.
Kodi Zgjedhor në nenin 24 përcakton konkretisht mënyrën e vendimmarrjes në KQZ dhe konkretisht sanksionon se konsiderohen të miratuara, kur votojnë “pro” jo më pak se 5 anëtarë të KQZ-së, vendimet lidhur me shpërndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore; pranimin e ankimit kundër vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e zgjedhjeve të zonës zgjedhore; kërkesat për deklarimin e pavlefshëm të zgjedhjeve në një ose disa qendra votimi; shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në zonën zgjedhore apo në të gjithë vendin dhe përsëritjen e tyre ose caktimin e mandateve për çdo zonë zgjedhore.
Opozita dhe mazhoranca nuk kanë shfaqur asnjë shenjë kompromisi për të gjetur një zgjidhje për ngërçin e krijuar, ndërsa 10 ditë përpara zgjedhjeve gjithçka bëhet e pamundur.
Kryeministri Sali Berisha këmbëngul se nuk pranon asnjë kompromis duke ftuar opozitën të rikthejë anëtarët e dorëhequr në detyrë ose të ripropozojë emrat e rinj dhe të thërritet një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit për të kryer votimin.
Partia Socialiste e cila deri më tani e ka cilësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe katër anëtarët e mbetur si ushtarë të kryeministrit Sali Bersha, nuk ka ofruar opsionin e propozimit të emrave të rinj duke insistuar tek nevoja e një rikompozimi të plotë.
Në këtë situatë, duket se pas 23 Qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të jetë në gjendje të marrë një numër të konsiderueshëm vendimesh dhe do të detyrohet Kolegji Zgjedhor të vihet në lëvizje automatikisht. Një situatë e tillë do të bënte që vendimet e Kolegjit të ishin të pakontestueshme për shkak se tanimë Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi të publikuar e ka pohuar se nuk shqyrton çështje që kanë lidhje me rezultatet zgjedhore. Kalimi i çdo vendimi përmes Kolegjit ka gjasa të zvarrisë edhe më shumë se zakonisht shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve.
Një diferencë e ngushtë mandatesh mes koalicioneve garuese në zgjedhje do ta bëjë edhe më të tensionuar situatën politike dhe procesin e zyrtarizmit të rezultatit e certifikimin e tij nga institucionet përkatëse të shtetit.
(D. Malaj)