Doha, 28 gusht 2024 – Ndërmjetësit e bisedimeve për arritjen e një marrëveshje armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gazë i zhvendosën sot negociatat në Doha të Katarit, ndërkohë që ushtria izraelite ndërmori sulme ajrore në qytetin palestinez Xhenin, në Bregun Perëndimor dhe vazhdoi operacionet ushtarake në Gazë. Në Katar po qëndron edhe një këshilltari i lartë i Presidentit amerikan Joe Biden pas sinjalizimit të Iranit se është i gatshëm t’u rikthehet bisedimeve me Shtetet e Bashkuara rreth programit të tij bërthamor.
Negociatorët nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari u takuan të mërkurën në Doha për bisedime të nivelit teknik në procesin e negociatave për arritjen e një armëpushimi në Gazë.
Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për një marrëveshje, ushtria izraelite intensifikoi operacionet në Gazë dhe ndërmori sulme ajrore në qytetin Xhenin të Bregut të pushtuar Perëndimor.
Në Rripin e Gazës, forcat izraelite depërtuan me tanke në thellësi të qytetit jugor Khan Younis dhe sulmuan pjesët tjera të territorit, përfshirë në afërsi të një shkolle ku po strehohen familjet e zhvendosura. Sipas personelit mjekësor në Gazë, 34 palestinezë u vranë sot. Në mesin e të vrarëve ishin edhe dy gazetarë vendas, sipas njoftimeve të agjencive, duke çuar në 172 numrin e gazetarëve të vrarë gjatë luftës 11 mujore ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.
Në Xhenin dhe në disa qytete tjera në Bregun e pushtuar Perëndimor, forcat izraelite ndërmorën një operacion të shkallës së gjerë, ku sipas zyrtarëve palestinezë, ata vranë të paktën nëntë palestinezë dhe vendosën qytetin nën shtetrrethim.
Një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se sulmet e të mërkurës në Xhenin dhe qytetet përreth, të njohura si vatra të militantëve palestinezë, janë faza e parë e një operacioni më të gjerë që synon të parandalojë sulmet e militantëve ndaj civilëve izraelitë.
Ndërkohë përpjekjeve për të arritur një armëpushim iu bashkua edhe këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, i cili udhëtoi për në Doha për takim me Kryeministrin e Katarit Sheikh Mohammed Abdulrahman Al Thani, një ditë pasi udhëheqësi i Katarit takoi Presidentin iranian në Teheran.
Takimi në Doha vjen pas përshkallëzimit të tensioneve ndërmjet Izraelit dhe Iranit, si dhe grupeve që mbështesin këtë të fundit, Hezbollahu, Hamasi dhe rebelët Houthi. Irani është zotuar se do të hakmerret ndaj Izraelit pas atentantit ndaj udhëheqësit politik të Hamasit në Teheran muajin e kaluar, që besohet se u krye nga Izraeli.
Por të martën, udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei u shpreh i hapur për rinisjen e negociatave me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor të vendit të tij, duke i thënë qeverisë iraniane se “nuk ka dëm” nëse angazhohet me “armikun” e saj.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara ndër vite kanë mbajtur bisedime përmes palëve të treta, të ndërmjetësuara nga Omani dhe Katari. Në fillim të mandatit, Presidenti Biden i bëri trysni Iranit të respektonte marrëveshjen bërthamore që ishte arritur gjatë administratës së Presidentit Obama në vitin 2015, por që ishte hedhur poshtë në vitin 2018 nga ish President Donald Trump.
Që atëherë, Irani ka vazhduar të pasurojë uraniumin, duke mos respektuar kufizimet e vendosura nga marrëveshja me Shtetet e Bashkuara. Pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor, administrata amerikane ka bërë përpjekje për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore.
(Zëri i Amerikës)