Tiranë, 12 mars 2024 – Në Tiranë, Akademia e Shkencave nderoi sot në 92 vjetorin e lindjes shkrimtarin Naum Prifti.
Pas një krijimtarie afro 70 vjeçare, ai ndërroi jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ishte për shumë vite sekretar i Federatës Vatra dhe redaktor i gazetës Dielli.
Studiuesit vlerësuan në tubimin e sotëm krijimtarinë e gjerë të Naum Priftit si dhe ndihmesën e tij në veprimtarinë e diasporës shqiptare në SHBA.
“Ky autor dallon për subjekte që përshkruajnë realitetin e ashpër të diktaturës në Shqipëri. Pavarësisht periudhës në të cilën janë shkruar, apo nëse janë krijuar në Shqipëri apo në SHBA, krijimet e tij janë një standard letrar i moskonformitetit”, thotë studiuesja Eleni Karamitri.
Naum Prifti jetoi gjatë dhe krijoi shumë letërsi në shqip. Pas afro 37 vjet krijimtari nën regjimin komunist, ai emigroi në SHBA sapo ra izolimi i Shqipërisë me Perëndimin, ku e pritnin vëllezërit e tij Poli dhe Peter.
Bija e shkrimtarit, Rafaela Prifti, gazetare e Diellit dhe studiuese e letërsisë, thotë se Naumi botoi dendur në faqet e gazetës Dielli studime dhe publicistikë mbi Skënderbeun, mbi gjuhën shqipe dhe letërsinë, dhe vazhdoi përmbi 32 vjet të tjerë, deri verën e kaluar, krijimtarinë dhe botimet në SHBA.
Ai solli me vete edhe shumë dorëshkrime të pabotuara nga Shqipëria, të cilat nuk mund ta kalonin provën e kontrollit entet botuese të shtetit komunist, por e panë dritën e botimit pas ardhjes në SHBA.
“Kur kaloi oqeanin babai solli me vete shumë dorëshkrime, që nuk mund të botoheshin në Shqipëri. Liria ishte se kur erdhi në Amerikë i botoi ato në vëllimin “Grirja e shpirtit” botuar nga “Çabej”, disa novela shumë të rënda, me subjekte të trishtueshme të kohës. Proza e Naum Priftit është thellësisht shqiptare dhe humaniste në frymë, në karakter dhe në psikologji. Kjo është aryeja që kur lexon prozën e tij në tregime, në drama, në skenare ato të ngelen në mendje”, thotë Rafaela Prifti.
Ajo kujton se shpesh babai theksonte që gjatë krijimtarisë së tij nën regjimin komunist kishte arritur të mbetej në harmoni me veten, sepse në shoqërinë socialiste para 90 gjente ngjarje, që i rrëfente lirshëm, pa kompromentuar anën e tij shpirtërore.
Naumi Prifti u zgjodh edhe kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Studiuesit në tubimin e sotëm theksuan cilësitë e krijimtarisë së tij, mesazhet humane të brendisë dhe shumëllojshmërinë e saj në forma, tregime, drama, novela, letërsi për fëmijë, skenarë filmi për të cilat ka marrë tituj e vlerësime në Shqipëri dhe SHBA.
“Naum Prifti vlerësohet si tregimtari me një regjistër ligjërimi të veçantë original në letërsinë shqipe. Kjo e ka radhitur atë denjësisht mes tregtimtarëve të suksesshëm të kohës si Mitrush Kuteli, Sotir Andoni, Dhimitër Shuteriqi, Teodor Laço, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Faik Ballanca etj”, thotë studiuesi Ymer Çiraku.
Naum Prifti përgatiti një vëllim me tregime Këndej dhe matanë oqeanit, i cili nuk është botuar ende. Familjarët mendojnë që të ribotohen disa nga veprat e tij, ku të qëndrojnë së bashku krijimtaria e botuar me atë të pabotuar, mes të cilave edhe drama “Thatësira e një vere”. Këto pritet t’u bashkohen afro 100 botimeve të tjerë në 70 vjet krijimtari.
“Naum Prifti ka hedhur hapa të rëndësishëm në përvijimin e letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Ai është një gur shenjues historik në udhën e letërsisë për fëmijë të shkruar në gjuhën shqipe. Kam provuar me studimin tim se vepra e tij ka një jetëgjatësi sa i përket lexueshmërisë dhe receptimit të tij si autor i letërsisë për fëmijë dhe të rinj. Ai ka kryer me vetëdije të plotë një mision edukimi ndaj brezave edhe me bashkautorësinë në tekste shkollore, i cili lexohet me ëndje edhe sot. Ai është për mua një nga autorët më të dashur në letërsinë për fëmijë”, thotë Evalda Paci.
Krahas letërsisë, Naum Prifti u bë shpejt edhe veprimtar I diasporës. Federata PanShqiptare Vatra e drejtuar në Nju Jork nga Agim Karagjozi, e zgjodhi atë sekretar të saj, detyrë që e mbajti për 15 vjet.
“Nëse ka një autor, puna e të cilit nuk mund të zhbëhet, edhe pse cilësohet si autor I brezit të realizimit socialist, është pikërisht zoti Prifti. Dramaturgjia e tij është e pakohë, me vepra që mund të vihen edhe sot në skenë, gjë që nuk haset shpesh mes veprave të asaj kohe, qofshin edhe ato të ndaluara”, thotë studiuesja Anxhela Çikopano.
Një shkrimtar i veçantë dhe njeri me humor të hollë e të pashterrshëm, Naum Prifti është autor i 16 vëllimeve me tregime dhe 40 të tjera me novela dhe përralla, 15 drama, autor monografish dhe përkthimesh letrare prej 8 gjuhëve të huaja nga krijimtaria botërore, autor librash shkollorë, një lëvrues i njohur i gjuhës shqipe, edhe në eseistikë dhe publicistikë gjatë jetës së tij gati njëshekullore.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)