Prishtinë, 3 prill 2021 – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit u ndërpre, për shkak se nuk pati kuorum të mjaftueshëm për votim të vlefshëm.
Vazhdimi i seancës u ftua për nesër (e diel) në orën 17:00.
“Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës do t’i vazhdojë punimet nesër, më datë 4 prill 2021, në orën 17:00”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Kandidatë për president janë Vjosa Osmani-Sadriu dhe Nasuf Bejta, të dy të nominuar nga shumica parlamentare e përbërë nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e të Nismës së Vjosa Osmanit dhe deputetët e komuniteteve joserbe.
Në seancën e sontme ishin të pranishëm 82 deputetë, gjë që krijoi kuorumin e nevojshëm për votim, mirëpo votim nuk morën pjesë të gjithë, kështu që dy tentativat për votim të flefshëm dështuan.
Në të dyja tentativat, në kutinë e votimit pati më pak vota se 80 vota, sa është minimum i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit. Në votimin e parë në kuti pati 78 vota, kurse në votimin e dytë pati 79 vota.
Në seancë, përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të komuniteteve joserbe që janë pjesë e qeverisë, morën pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena Reshitaj. Por, në votim nuk morën pjesë tre deputetë të LDK-së që kanë qenë konsistent në qëndrimin e tyre kundër votimit të Vjosa Osmanit: Avdullah Hoti, Driton Selmanaj dhe Agim Veliu.
Në hapje të seancës ishin të pranishëm edhe dy deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe Bedri Hamza, por ata e lëshuan sallën para se të fillonte procesi i votimit.
Deputetët tjerë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, si edhe deputetët e Listës Serbe po e bojkotojnë procesin e votimit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente të vendit.
(r.m.)