Pas një sëmundje të rëndë, sot pasdite ka ndërruar jetë gazetari i njohur Zejnulla Veseli, ish-korrespondent i.gazetës “Illyria” nga Maqedonia Veriore.
Lajmin e ka dhënë gazeta KOHA, për të cilën ka punuar rregullisht në vitet e fundit.
I lindur në Nigishtan të Shkupit, Zejnullai ka punuar për shumë vite si gazetar, duke filluar me televizionet lokale e rajonale në Shkup, në gazetën “Fakti”, në revista javore, ndërsa vitet e fundit ka qenë pjesë e gazetës KOHA, ku ka mbuluar çështjet ekonomike..
Në vitin 2019, Zejnullau u shpall fitues i Çmimit rajonal “Vangjush Gambeta” për gazetari ekonomike, ndërsa ka qenë pjesë e shumë hulumtimeve vendore dhe rajonale për ekonomi.
“Lajmi për shuarjen e tij, ka lënduar zemrat e gjithë atyre që e njohën, duke goditur sidomos familjen, për të cilën ai ishte shumë i përkushtuar”, ka shkruar në Facebook gazetari i njohur, Emin Azemi që e ka njohur të ndjerin që kur punonin bashkë në vitet 1990, në gazetën “Fakti”. “Kujtimit tonë tash e tutje do t’i shtohet edhe respekti e mirënjohja për përkushtimin që ai tregoi në profesionin e gazetarit”.
Gazeta “Illyria” i bashkohet familjes së tij, redaksisë së gazetës KOHA dhe kolegëve e miqve të tjerë për të shprehur ngushëllime për humbjen e parakohshme të Zejnullah Veselit.