Të afërmit dhe Batalioni “Atlantiku” presin vizita të shtunën, në 8 qershor, në Bronx – detajet në fund të shkrimit
Nga Beqir Sina
Ka ndërruar jetë ish-ushtari i UÇK-së, Esat Tahiri, njofton familja Tahiri në New York.
“Me dhimbje dhe pikëllim të thellë lajmërojmë komunitetin se me 11 Maj u nda nga jeta vëllai ynë Esat Tahiri – shkruajnë vëllezërit e tij Sheremet e Qamil Tahiri.
Lajmin mbi vdekjen e parakohshme e ka bërë të ditur edhe nënkryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku. Në një postim në rrjetin social, Facebook, ai shkroi se Tahiri ka qenë sypatrembur, luftëtar i zoti, burrë i fjalës dhe punëtor i palodhur.
“Me zemër të thyer e dhembje të thellë mora lajmin për vdekjen e bashkëluftëtarit sypatrembur, mikut të veçantë, bashkëpunëtorit të ngushtë e bashkëqytetarit të respektuar, Esat Tahiri. Ai ishte luftëtar i zoti në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, bashkëpunëtor i imi i ngushtë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, burrë i fjalës e punëtor i palodhur. Kontributi i tij për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës do të mbetet i paharruar”, ka shkruar Lushtaku.
I ndjeri u varros me nderime të larta ushtarake në vendlindjen e tij – Drenicë, më 13 maj, ndërsa vëllezërit e tij Sheremet e Qamil Tahiri me kushurinjtë, me nderimin e ish bashkëluftëtarve të Batalionit ” tlantiku” në SHBA, presin vizita të shtunën me 8 qershor, ora 9:00 AM- 4:00 PM, në lokalin “Howl at the Moon”, në adresën 585 East 189th Street, Bronx NY 10458.