Londër, 8 shtator 2022 – Mbretëresha Elizabeth, monarka më jetëgjatë e Britanisë dhe kryetarja e shtetit për shtatë dekada, vdiq në moshën 96 vjeçare, njoftoi të enjten Pallati Buckingham.
“Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral sot pasdite,” tha Pallati në një deklaratë.
Djali i saj, 73 vjeçari Charles, bëhet automatikisht mbreti i Mbretërisë së Bashkuar dhe kreu i shtetit për 14 territore të tjera, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re.
Lajmet se gjendja shëndetësore e mbretëreshës po keqësohej, filluan të dalin pak pas mesditës të enjten kur mjekët e saj thanë se ajo ishte nën mbikqyrje mjekësore, duke bërë që familja e saj të nxitonte që të ishte pranë saj në rezidencën e saj në Skoci, Balmoral.
Që nga fundi i vitit të kaluar, mbretëresha kishte vuajtur nga “probleme episodike lëvizjeje”, gjë që e detyroi të tërhiqej nga pothuajse të gjitha angazhimet e saj publike.
Paraqitja e saj e fundit publike ishte të martën, kur ajo emëroi kryeministren e re, Liz Truss.
Në pallatet e saj dhe godinat qeveritare në gjithë Londrën, flamuri u ul në gjysmë shtizë.
(Zëri i Amerikës)