Mjeku me famë botërore, nobelist në fushën e mjekësisë, Ferid Murad, ka ndërruar jetë të martën, në moshën 87 vjeçare.
Murad ishte fitues i çmimeve dhe mirënjohjeve të shumta për hulumtime në fushën e mjekësisë. Por, mirënjohja e tij më e madhe për punën shkencore e hulumtuese është Çmimi Nobël për Mjekësi, në vitin 1998. Ai u vlerësua nga Komiteti i Nobelit për zbulimin lidhur me rolin e oksidit nitrik (NO) si molekulë sinjalizuese në sistemin kardio-vaskular.
Zbulimi i tij se oksidi nitrik bën që enët e gjakut të relaksohen dhe zgjerohen ka aplikime të gjera në mjekësi sot. Përdoret për të rregulluar presionin e gjakut, e lufton infeksionin dhe ndihmon në trajtimin e sëmundjeve të zemrës e të mushkërive, si edhe në trajtimin e kancerit, shokut dhe impotencës.
“Ai ishte një nga emrat më të shquar të kombit tone me të cilin jemi ndjerë krenarë të gjithë ne. Shprehim ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve të komunitetit mjekësor dhe jo vetëm si dhe të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen”, ka shkruar në një telegram ngushëllimi të mërkurën, Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.
Ferid Murad ishte anëtar i Akademisë Amerikane të Shkencave. Ai shte anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Ai ka realizuar disa vizita në Maqedoni, në Kosovë dhe në Shqipëri, ku ka mbajtuar edhe ligjërata nga fusha e studimeve të tij.
Murad ishte nderuar me titullin “Doktor Nderi” nga shumë universitete dhe institucione prestigjioze arsimore-shkencore ndërkombëtare.
Ferid Murad ishte me prejardhje nga Gostivari. Në paraqitjet e tij publike, ai ka folur gjithmonë me krenari për origjinën e tij. Në disa raste ai ka folur për prejardhjen e tij dhe historinë e migrimit të babait të tij në Amerikë.
Me gjithë angazhimet e tij në fushë të shkencës, Ferid Murad ishte mbështetës i kauzave të shqiptarëve kudo.
Më 1999 në gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” ai e kishte botar një editorial në mbështetje të pavarësisë së Kosovës.
(r.m.)