Nga Ruben Avxhiu
Skënder Ghilaga, një nga figurat më të shquara të komunitetit shqiptar në SHBA ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare.
Lajmin ia komunikoi e bija, Emilie Ghilaga, botuesit të gazetës “Illyria”, në New York, Vehbi Bajrami, me të cilin Skënderi ka pasur miqësi të ngushtë.
Sipas njoftimit të saj, inxh. Ghilaga ndërroi jetë në Kosta Rika, ku kishte udhëtuar për të kaluar Vitin e Ri me vajzën e tij.
Skënder Ghilaga ishte një inxhinier dhe ndërtues i njohur, një aktivist i shquar i çështjes kombëtare në SHBA.
Jeta e tij është përshkruar më së miri në librin e njohur voluminoz “Shqiptarët e Amerikës” të botuesit Vehbi Bajrami.
Gjurmët e punës së tij madhështore në ndërtim ndodhen në shumë prej kryeveprave arkitekturore dhe ndërtesave më të famshme në New York City.
Ndërmjet tyre: Kullat Dag Hammersjkold, “Qendra rezidenciale dhe tregëtare “The Epurio”, Javits Convention Center, Lincoln Center for the Performing Arts, Mt Sinai Hospital, Madison Square Garden, etj.
Veprat e punës së tij shkojnë përtej kufijve amerikanë. Ai ka ndërtuar Hotelin “Kempinsky Hotel” (Pallati Ciragan) në Stamboll, Istanbul. Universitetin e Riadit në Arabinë Saudite etj.
Bashkë me bashkatdhetarin Dino Asanaj, kanë ndërtuar Fshatin Ndërkombëtar, në Prishtinë, Kosovë pas çlirimit të vendit prej NATO-s. Një nga investimet e para nga jashtë në vend.
Ghilaga ka qenë një aktivist i palodhur për çështjen kombëtare. Veç të tjerash ka rithemeluar Shoqatën “Miqtë e Shqipërisë”, ka bashkëthemeluar Dhomën Shqiptaro Amerikane të Tregëtisë, me qendër në New York si dhe Këshillin Kombëtar Shqiptaro Amerikan (NAAC) duke shërbyer si një nga anëtarët themelues të bordit.
Për këto veprimtari ka vepruar ngushtë sidomos me mikun e tij të ngushtë avokatin Bardhyl Tirana, si dhe me Prof. Sami Repishtin e figura të tjera të komunitetit.
Ai ka qenë gjithmonë një përkrahës dhe bashkëpunëtor i gazetës “Illyria”.
“Ishte inxhinieri më i njohur shqiptar në Amerikë”, tha me këtë rast, botuesi Vehbi Bajrami. “Një njeri me kuriozitet intelektual dhe që mbeti gjithmonmë i lidhur me komunitetin, Shqipërinë, Kosovën dhe çështjen shqiptare.”