Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës ndriçohet me flamurin e Turqisë

Prishtinë, 8 shkurt 2023 – Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën në mbrëmje, u ndriçua me flamurin e Turqisë, në nderim të viktimave të tërmeteve që goditën këtë shtet të hënën, më 6 shkurt.

Dita e mërkurë ishte ditë zie në Kosovë, në shenjë nderimi për viktimat e tërmetit dhe në shenjë solidariteti me popullin turk.

”Dita e sotme në Kosovë është ditë zie shtetërore. Në nder të viktimave të tërmetit shkatërrues, ndërtesa e Qeverisë sonte u ndriçua me flamurin e Turqisë. Lutemi për shëndetin e të lënduarve dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Autoritetet e Kosovës kanë ngushëlluar udhëheqjen shtetërore dhe popullin turk për humbjet e mëdha njerëzore nga tërmeti. Qeveria e Kosovës ka premtuar ndihmë për përballimin e pasojave të tërmetit, në kuadrin e mundësive të saj.

Një kontigjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës ka shkuar në Turqi. Ekipet e saj të kërkim-shpëtimit kanë nisur menjëherë operacionin e shpëtimit të personave të mgujuar në rrënojat e ndërtesave tëshembura nga tërmeti.

Të mërkurën në mbrëmje, ekipet e FSK-së e kanë shpëtuar nga rrënojat e tërmetit një fëmijë 2-vjeçar dhe po bëjnë përpjekje maksimale për të shpëtuar edhe nënën e foshnjës, e cila është e ngujuar në rrënojat e ndërtesës.

Numri i viktimave të tërmetit në Turqi dhe në Siri ka shkuar në 12 mijë.

(r.m.)