Uashington, 23 shtator 2023 – Nga fillimi i sulmit rus kundër Ukrainës një vit më parë, Kongresi i Shteteve të Bashkuara ka miratuar më shumë se 112 miliardë dollarë ndihma për Kievin.
Korrespondentja në Kongres e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, i hedh një vështrim mbarëvajtjes së procesit të dërgimit të ndihmave dhe asaj që pritet të ndodhë.
Presidenti ukrainas i dha një premtim Kongresit amerikan dhjetorin e kaluar…
“Paratë tuaja nuk janë bamirësi. Është një investim në sigurinë dhe demokracinë globale, të cilin ne e trajtojmë në mënyrë të përgjegjshme”, tha zoti Zelesnkyy.
Në prag të një vjetorit të sulmit rus, Presidenti amerikan Joe Biden u zotua se nuk do të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën. Ai premtoi një ndihmë shtesë prej gjysmë miliardë dollarësh.
“Gjithandej në vendin tim, në qytetet e mëdha e të vogla, flamujt ukrainas valëviten në shtëpitë amerikane. Gjatë vitit të kaluar, demokratë e republikanë në Kongresin tonë, u bashkuan për të mbrojtur lirinë”, tha zoti Biden.
Përgjigja e ligjvënësve amerikanë në ditët e para të sulmit ishte e shpejtë. Shumica u pajtuan se ndihma për Ukrainën është investim për sigurinë amerikane.
“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë në mbarë botën arritën shpejt konsensusin se duhet të forcojnë mbrojtjen e Ukrainës, dhe mbështesin popullin e saj nga agresioni rus”, tha James Risch, senator republikan.
Kongresi ka dërguar paketën më të madhe të ndihmës për një konflikt të huaj, që nga lufta e Shteteve të Bashkuara në Irak.
“Kishim një situatë ku administrata po kërkonte një shumë të madhe parash. Në Kongres, ligjvënës nga të dyja partitë do kishin dashur të shkohej përtej dhe të siguronin armë më të fuqishme për Ukranën. Kjo është diçka e pazakontë në historinë amerikane. Zakonisht, presidentët përballen me momente jo të lehta sa u përket konflikteve ndërkombëtare”, thotë Matt Glassman nga Universitetii Georgetown.
Por një vit më vonë, mbështetja publike në Shtetet e Bashkuara duket se po zbehet.
Sipas një sondazhi të Associated Press gjatë këtij muaji, 48 për qind e amerikanëve janë shprehur se mbështesin dërgimin e armëve në Ukrainë, që paraqet njëe rënie krahasuar me 60 për qind që e përkrahnin atë, në një sondazh në maj të vitit të kaluar.
Mbështetja e Kongresit për Ukrainën vazhdon të jetë e fortë, por ka mosmarrëveshje në rritje mbi sasinë e ndihmave që duhet të dërgohen dhe kohëzgjatjen e tyre.
“Cili është plani? Një çek bardhë i pakufizuar për Ukrainën? Pastaj kur ne dërgojmë armë në Ukrainë, nuk arrijmë t’i kontrollojmë se ku shkojnë, sepse u kemi dhënë praktikisht një çek të bardhë. Jam kundër kësaj gjëje”, thotë Ryan Zinke, ligjvënës republikan.
Ukraina ka ndërmarrë masa për të trajtuar shqetësimet rreth korrupsionit në vend. Ligjvënësit amerikanë thonë se janë të kënaqur me rezultatet që kanë parë gjatë vizitave të tyre.
“Jemi shumë të sigurt se ndihma jonë ushtarake do të shkojë atje ku duhet të shkojë dhe se ka përgjegjshmëri dhe transparencë”, thotë senatori republikan Lindsey Graham.
Zërat kryesorë të politikës së jashtme në Senat thonë se rezultati i luftës në Ukranë do të ketë ndikim edhe në politikën amerikane për dekada.
“Nuk është në rrezik vetëm liria e ukrainasve, e cila në vetvete është e rëndësishme, por ajo që po ndodh atje do të jetë një mësim se askush nuk mund të marrë me forcë territorin e një vendi tjetër. Nëse kjo kthehet në një praktikë, ka shumë despotë dhe autoritarë që do të kërkojnë ta bëjnë një gjë të tillë”, thotë Robert Menendez, senator demokrat.
Ndërsa fundi i konflktit vazhdon të mbetet i paqartë, Kongresi amerikan pritet që gjatë muajve të ardhshëm të diskutojë për ndihma shtesë për Ukrainën.
(Zëri i Amerikës)